Masakra e Sllovisë - Foto: Komuna e Lipjanit-Faqja zyrtare/Facebook

23 vjet nga masakra në Sllovi të Lipjanit, nderohen të rënët

Janë bërë 23 vjet që nga masakra e kryer nga forcat serbe në fshatin Sllovi të Lipjanit, ku të vrarë mbetën 45 civilë shqiptarë dhe u plagosën shumë të tjerë.

Në nder të të rënëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në vazhdën e vizitave e të nderimeve pranë memorialëve dhe varrezave të të rënëve nëpër vise të ndryshme të Kosovës ka vizituar edhe Sllovinë.

Konjufca, së bashku me shefin e kabinetit, Ilir Kërçeli, kanë bërë homazhe dhe vendosur lule pranë lapidarit të të rënëve të këtë fshat.

“Kryetari Konjufca, në bashkëbisedim me përfaqësuesin e këtij fshati dhe disa prej familjarëve të martirëve, ndër të tjera tha se në ditë si kjo, kujtojmë të gjithë ata që me gjakun e tyre siguruan lirinë e vendit”, thuhet në njoftim.

Foto: Kuvendi i Kosovës

Tutje është thënë se kryeparlamentari ka theksuar se pa gjakun e këtyre të rënëve nuk do të vinte as liria e as pavarësia.

“Lavdi gjakut të derdhur, sepse pa gjakun e tyre nuk do të vinte as liria e as pavarësia. Ata ranë që fëmijët tanë të vazhdojnë të jetojnë në Kosovën tonë të lirë”, citohet të ketë thënë kryetari Konjufca.

Një vizitë e tillë në këtë fshat është bërë edhe nga delegacioni i Komunës së Lipjanit i udhëhequr kryetari Imri Ahmeti.

Ata kanë vendosur lule në kompleksin memorial të dëshmorëve e të martirëve të Sllovisë.

“Delegacioni nga komuna gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqeta me lule tek komplekset memoriale të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Sllovi dhe Akllap në nderim të 23-të vjetorit të rënies së tyre”, thuhet në njoftimin e komunës.

Foto: Komuna e Lipjanit-Faqja zyrtare/Facebook
Foto: Komuna e Lipjanit-Faqja zyrtare/Facebook