Ilustrim

23 vjet burg për vrasjen e vëllezërve Berisha

Binak Panxha është dënuar nga Gjykata e Pejës për vrasjen e dy vëllezërve Arsim dhe Ramiz Berisha, me dënim me burgim me 23 vjet.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës Tringa Zhuti.

Prokuroria e Pejës e akuzon Binak Panxhën, se me dashje i ka privuar nga jeta dy vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berishën, shkaku i prerjes së pyllit.

Në aktakuzë thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre, Jetlir Gashin ishin nisur me qerre me kuaj në pyll për të prerë dru.

Pasi i parkojnë qerret buzë rrugës dhe futen në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim Berisha dëgjohet duke thirrur: ‘kush hamami jeni ju?’ dhe në atë moment i pandehuri Binak Panxha nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani dy të ndjerët.

Pas aktit, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i largon trupat e të ndjerëve duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes, me ç’rast i vendos në pjesën e tokës pa pronar.