23 komuna marrin grante për performancën e tyre
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Redžepi, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë marrë pjesë në takimin e organizuar bashkë me kryetarët e 23 komunave të Kosovës, ku u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancim të projekteve kapitale nga Granti i Performancës Komunale.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, 23 komuna të Kosovës kanë përfituar nga ky Grant, i cili do të mbështesë financiarisht implementimin e 43 projekteve kapitale në këto komuna.
Komunat në të cilat do të shpërndahen grantet janë: Pejë, Junik, Lipjan, Gllogoc, Kaçanik, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri, Hani i Elezit, Klinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Viti, Graçanicë, Kllokot, Ranillug, Shtërpcë, Mamushë, dhe Leposaviq.
Për vitin 2020 ky grant është në shumën prej 4.9 milionë eurove dhe financohet nga buxheti i MAPL-së dhe nga Qeveria Zvicerane, Suedeze dhe Norvegjeze.
“Veç tyre, Rregullat e Grantit parashohin një shumë shtesë prej 10% të totalit të grantit për 3 komunat me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve. Si rrjedhojë, 3 komunat që kanë arritur numrin më të madh të pikëve sipas performancës janë: Komuna e Pejës – vendi i parë; Komuna e Junikut – vendi i dytë dhe Komuna e Lipjanit – vendi i tretë”, thuhet në fund të njoftimit të Qeverisë.