Foto: ZKM

22-vjetori i masakrës së Reçakut, politikanët kosovar kërkojnë drejtësi

Liderët e institucioneve të Kosovës dhe partive politike, kanë përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku nga forcat serbe janë vrarë 44 civilë shqiptarë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Hoti ka thënë se drejtësia ndonjëherë vonon, por është  i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë.

“Sot në këtë ditë të veçantë, bashkë me bashkëpunëtorë bëmë nderimet në këtë vend të veçantë ku ka ndodhur një nga ngjarje më të tmerrshme. Në Kosovë kanë ndodhur masakra gjithandej. Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa, derisa ata që i kanë kryer këto vepra nuk e marrin dënimin e merituar. Drejtësia ndonjëherë vonon, por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ai.

Sipas ZKM-së, masakra e Reçakut, ku u vranë 44 civil shqiptarë, sensibilizoi gjithë botën për gjendjen në Kosovën e vitit 1999 dhe solli fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s për të shpëtuar qytetarët e pafajshëm, viktima të sulmeve sistematike të regjimit të Millosheviqit.

Kurse, ushtruesja e detyrës e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku kanë bërë homazhe në Reçak

Osmani e cilësoi si një prej më të tmerrshme masakrën e Recakut.

“Sot janë bërë 22 vjet në nga masakrat më të tmerrshme në historinë e gjithë njerëzimit. Në fakt është vendi ku u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve. Nga këtu duhet me zë të lartë ta themi këtë të vërtetë duke kërkuar drejtësi që ranë për liri. Dëshmitë e gjenocidit mund t’i gjejmë anekënd vendit tonë, Akoma po dominion kjo mendje gjenocidale”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti theksoi se një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohueshme.

“Sot erdhëm të bëjmë nderime këtu në Reçak në përvjetorin e 22-të. Ai dimër mbaj mend se ka qenë shumë më i ftoftë si ky sot dhe kjo ngjarje ka tronditur e tmerruar gjithë Kosovën dhe patë alarmuar edhe fuqitë botërore”, tha Kurti.