Ilustrim

22 vjet të reformës ushtarake të Rusisë u shkatërruan për 22 javë luftë në Ukrainë

Mark Galeotti, ekspert dhe historian i Rusisë, ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ai tha se kishte menduar që rusët do të zhvillonin luftën ashtu siç edhe ata flasin për luftën, ashtu siç përgatiten për luftën, si armatosen dhe trajnohen për të luftuar.

Por, Galeotti tha se në vend të kësaj lufta e Rusisë është parë si një luftë të imagjinuar nga persona që nuk kanë përvojë serioze ushtarake.

“Kemi parë një luftë të imagjinuar nga një ish-punëtor i KGB-së dhe rrethi i tij i ngushtë me ish-këshilltarë të KGB-së, asnjë nga të cilët nuk kanë ndonjë përvojë serioze ushtarake” – tha historiani i Rusisë.

Kjo, sipas tij, është arroganca e autoritarizmit, pra ideja që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e di vetë më mirë se të gjithë, e që kështu nuk e ka lënë luftën në duar të gjeneralëve.

Sa i përket anëtarësimit të vendeve të reja në NATO, Galeotti ka treguar nëse sheh ndonjë hapësirë për zgjerim.

Për këtë ai tha se është një debat që po vazhdon, por sipas tij, s’ka pasur një debat të tillë.

“Aktualisht jam me seli në Uashington, dhe zakonisht jetoj në Londër. Dhe gjithashtu udhëtoj mjaft në disa kryeqytete evropiane, duke përfshirë Berlinin dhe Parisin. Gjëja interesante që më bën përshtypje është se një vit më parë ishte pak a shumë një konsensus se zgjerimi i anëtarësimit në NATO është i rëndësishëm, por nuk është prioritet” – u shpreh Galeotti.

Tutje ai tha se ajo që tani mund të shihet është se Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika  po lëvizin shumë më tepër drejt nocionit që nuk mund të ketë siguri afatgjatë në Ballkanin Perëndimor pa adresuar seriozisht këtë çështje të zgjerimit të NATO-s në këtë rajon.

“Pikërisht këtu është poenta, që gjithçka lidhet me gjithçka tjetër, bota moderne nuk përballet me fushën e betejës, ato zgjerohen në mënyra të ndryshme” – tha ai.

Galeotti tha se Ballkani Perëndimor është një problem real, për të cilin tha se nuk kanë një zgjidhje të thjeshtë.

Ai ndër të tjera përmendi edhe një çështje të cilën e cilëson si një gabim katastrofal të ndërkombëtarëve. Ai tha se nga këta të fundit nuk ka dëshirë që të shpenzohen shumë resurse që të zgjidhet problemi i Ballkanit Perëndimor.

Sipas Galeottit, kjo ka sjellë që të përkrahen regjimet që do të mbajnë situatën stabile dhe që do të shtiren si demokratë, e pastaj dhe ndërkombëtarët do të shtiren që po u besojnë atyre.

“Ne të gjithë e dimë se çka po ndodh në realitet, por me rëndësi, ne do të kemi stabilitet dhe kështu nuk duhet të shqetësohemi për Ballkanin Perëndimor. Dhe ky ka qenë një gabim katastrofal” – shprehet Galeotti.

Historiani i Rusisë tha se kjo është gabim pasi ka inkurajuar këto regjime, sipas tij, anti-demokratike dhe gjysmë-kriminale, që të fuqizohen.

Galeotti tha se mendon që tani sapo ka filluar të kuptohet që kjo nuk është një zgjidhje afatgjate, por vetëm sa ia zgjat jetën problemeve tutje.

Galeotti u pyet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është stabil, për të cilin tha se është stabil por jo tamam.

“Po, por nuk është tamam stabil. Këto regjime autoritare mund të mbajnë frontin për një kohë, por përfundojnë vetëm duke krijuar presione të reja, prandaj në një moment të caktuar do të ketë përplasje për pushtetin e kështu me radhë, dhe kështu nuk do të ketë kontroll institucional” – tha ai.

Tutje Galeotti tha se duhet të pranohet që këto janë qeveri të legjitimuara dhe të institucionalizuara, por nuk janë stabile kur shikohen në aspekt afatgjatë.

“Kjo është e vështirë, dhe nëse vazhdon për një kohë shumë të gjatë, atëherë njerëzit thjesht e injorojnë” – shprehet Galeotti.

Tutje ai tha se Vuçiq ka ditur ta luajë lojën e Brukselit shumë mirë gjatë kohës kur po luhej loja e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë të fundit, Galeotti thotë se është një njeri pragmatik që i shërben vetes, dhe, sipas tij, në këtë moment Vuçiqit po i konvenon shumë që ta luajë lojë të balancit në mes të Rusisë dhe të Bashkimit Evropian.

“Ai i thotë Bashkimit Evropian që nëse më bëni shumë presion, unë kam ende miq me të cilët mund të merrem vesh, e në anën tjetër ai u thotë rusëve që ju dua shumë, por unë kam nevojë për paratë e Bashkimit Evropian” – shprehet Galeotti.

Kjo lojë e presidentit të vendit fqinj të Kosovës, historiani i Rusisë tha se është lejuar që të luhet nga vetë Brukseli.

“Vjen një pikë në kohë kur Bashkimi Evropian do të duhet t’i përkushtohet shumë më seriozisht këtij rajoni dhe të thotë që ne do të zbatojmë premtimet tona të shumta, mirëpo, ka një çmim që duhet paguar” – tha ai.

Tutje ai shtoi se mund të jetë e pamundur që të arrihet marrëveshje me llojin e njerëzve si Vuçiqi, por sipas Galeottit poenta është që deri në atë pikë, shumica e serbëve do e kuptojnë që e ardhmja e tyre është me Evropën Perëndimore.

Galeotti tha se i duhet thënë Serbisë qartazi që ‘nëse dëshironi që ne të vazhdojmë t’ju përkrahim, atëherë këto janë pikat konkrete që ne presim që ju t’i zbatoni dhe mendoj që deri më tani’.

Historiani dhe eksperti i Rusisë tha se për momentin, në një mënyrë, askush nuk beson që Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ndonjëherë, prandaj, sipas Galeottit Serbia nuk ka asnjë arsye që të reformohet mirëfilli, e as nuk duhet të frikësohet që mund të humbasë paratë.

“Mendoj që ky është problemi, sepse ka një përpjekje dyfytyrëshe për ta blerë bashkëpunimin e Serbisë” – tha Galeotti.

Tutje ai tha se duket sikur po i thuhet Serbisë: Ja merri këto fonde, veç mos na shqetëso shumë dhe sipas tij kjo qasje thjesht nuk po funksionon më në praktikë.