Ambulanca për Coronavirus - KALLXO

22 vjeçarja nga Italia e prekur me coronavirus, reagon 'Caritas Kosova'

22 vjeçarja nga Italia e prekur me coronavirus nuk është punonjëse e ‘Caritas Kosova’. Kështu ka bërë të ditur ‘Caritas Kosova’ përmes një reagimi për media.

“Pas qarkullimit të disa informacioneve të pasakta në portalet tona ju njoftojmë që punëtorja italiane e cila është diagnostifikuar si e infektuar me virusin Covid-19 nuk është punëtore e Caritas Kosova dhe nuk ka pasur ndonjë relacion me organizatën tonë”, kështu thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Pas konfirmimit të informacionit se një shtetase italiane e cila po qëndronte në Klinë ka rezultuar pozitive me virusin corona, institucionet kanë nisur t’i vendosin në karantinë disa familje me të cilat kjo shtetase ka pasur kontakte.

KALLXO.com merr vesh se shtetasja italiane ka arritur në Kosovë para pesë ditësh.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori i shëndetësisë në Klinë, dr. Hekuran Sejdiu.

E njëjta, sipas tij, pasi është dyshuar është dërguar në QKUK ku po merr trajtim.

Sejdiu ka shpjeguar se kanë identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me këtë shtetase dhe të gjithë janë duke u kontaktuar për t’u vendosur në karantinë.

“Jemi së bashku me policinë e institutin duke i vendosur në karantinë në shtëpitë e tyre këta persona”, ka thënë Sejdiu.

Konfirmimi për coronavirus, familje në Klinë vendosen në karantinë

Njoftimi i plotë i Caritas Kosova:

NJOFTIM

Pas qarkullimit të disa informacioneve të pasakta në portalet tona ju njoftojmë që punëtorja italiane e cila është diagnostifikuar si e infektuar me virusin Covid-19 nuk është punëtore e Caritas Kosova dhe nuk ka pasur ndonjë relacion me organizatën tonë.

Sidoqoftë, shprehim keqardhjen tonë për rastet e diagnostifikuara dhe ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të zbatojnë në mënyrë strikte masat parandaluese.