22 mostra nga Prishtina dërgohen për testim të COVID-19

22 mostra të dyshuara me COVID-19 janë dërguar nga QKMF në Prishtinë për testim në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK.

Të gjitha këto mostra të dyshuara janë raste kontakte të personave që kanë rezultuar pozitiv në dy ditët e fundit në Prishtinë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi për KALLXO.com konfirmoi se vetëm një pacient nga kjo komunë është i shtrirë në Klinikën Infektive.

“Vetëm një qytetar nga Prishtina është i shtrirë në Klinikën Infektive pasi ka pas temperaturë por gjendja është stabile. Të tjerët janë në vetizolim dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, u shpreh ai.

Pas disa ditëve, Prishtina ka shënuar rastet të reja pozitive me coronavirus, përkatësisht nga 9 maji janë regjistruar 4 raste të reja.

Kryetari Shpend Ahmeti njoftoi se këto raste në Prishtinë dhe rastet e tjera jo vetëm në Prishtinë janë të gjitha nga një klinikë private gjinekologjike në periferi të Prishtinës. Pra edhe rasti i Obiliqit, Klinës dhe Gjilanit janë ose punëtorë ose familjarë të punëtorëve të Klinikës.

KALLXO.com raportoi sot se në Komunën e Gjilanit vetëm gjatë ditës së sotme janë marrë më shumë se 60 mostra të dyshimta për coronavirus.

Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi për 14 raste të reja me coronavirus.

Gjithsej në Kosovë janë regjistruar 884 raste me këtë virus e që nga kjo shifër 655 janë shëruar, janë shënuar 28 viktima ndërsa rastet tjera janë ende aktive.

Mbi 60 mostra për coronavirus merren nga Gjilani