Foto: MKRS

22 mijë persona të përfshirë në "Javën e Sportit në Kosovë"

Rreth 22 mijë të rinj pritet të përfshihen në “Javën e Sportit” e cila për herët të dytë do të mbahet në Kosovë.

Kjo Javë ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 30 shtator.

Synimi i këtij aksioni do të jetë angazhimi i të rinjve në aktivitete fizike.

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport,  Kujtim Gashi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani si dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Ilir Murtezaj, ishin të pranishëm në një forum për të folur rreth kësaj ngjarjeje.

Java Evropiane e Sportit, e cila organizohet nën patronatin e ministrit Kujtim Gashi, do të mbahet në tërë Kosovën, ku do të organizohen mbi 80 aktivitete, për tetë ditë, ndërsa pritet të marrin pjesë rreth 22 mijë persona.

“Për 8 ditë, nga sot në Kosovë do të organizohen aktivitete fizike dhe sportive që kanë qëllim aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasivë por të merren me aktivitete në dobi të shëndetit të tyre, siç është sporti. Java Evropiane e Sportit shënon 5-vjetorin e themelimit nga Komisioni Evropian, me 84 ngjarje në 8 ditë, ku pritet të marrin pjesë rreth 22 mijë persona”, tha ministri Gashi.

Ai shtoi se që nga marrja e detyrës si ministër ka qenë i fokusuar që të avancojë sa më shumë sportin në Kosovë, në mënyrë që Kosova të ketë imazh të mirë ndërkombëtar përmes sportistëve.

“Sivjet BE-ja ka zgjedhur të financojë një ngjarje të veçantë, e cila do të mbahet më 27 shtator, në Suharekë. Pres që konkluzionet të jenë në dobi të sportit, temat që do trajtohen uroj të sjellin idetë dhe planet konkrete që do të avancojnë sportin në Kosovë. Që nga marrja e detyrës jam munduar maksimalisht të përmirësoj infrastrukturën sportive dhe të kemi imazh të mirë sportiv në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.

Ndërkaq kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e falënderoi ministrin Gashi për praninë dhe bashkëpunimin që ka treguar në raport me sportin.