Ilustrim

2,111 lindje në muajin janar 2023, vetëm 4 lindje më shumë se ai vitit të kaluar

Në muajin e parë të këtij viti, në Kosovë dhe jashtë saj, u lindën 2,111 fëmijë. Këto të dhëna të cilat janë preliminare, tregojnë se numri i meshkujve dhe i femrave ishte pothuajse i përafërt, respektivisht 47 lindje më shumë ishin të gjinisë mashkullore.

“Në muajin janar janë regjistruar 2,111 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1079 lindje janë meshkuj dhe 1032  lindje janë femra”-thuhet në publikimin e ASK-së.

Sipas të dhënave për vendin e lindjes, brenda Kosovës, numri më i madh i lindjeve ishte në Komunën e Prishtinës me gjithsej 886 lindje, ndërsa jashtë Kosovës ishin 308 lindje.

Në krahasim me publikimin për muajin e njëjtë të vitit të kaluar, numri i lindjeve në Kosovë dhe jashtë saj, i bie se është për vetëm 4 lindje më i lartë.

Në muajin janar 2022, janë regjistruar 2107 lindje të ndodhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës, prej tyre meshkuj 1034 dhe femra 1073.

Burimi i të dhënave të këtij publikimi ASK thotë se është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC), dhe rekomandohet, që këto të dhëna të merren si të dhëna preliminare dhe jo si të dhëna përfundimtare.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin janar 2023.

Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.

Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.