Ilustrim

2024, viti i parë me ngritje mbi 1.5C të ngrohjes globale - thonë shkencëtarët

Bota porsa ka përjetuar vitin e parë, në të cilin temperaturat shkuan mbi 1.5 Celsius se në kohën paraindustriale – kanë thënë shkencëtarët të premten, më 10.01.2025 – raporton Reuters.

Këto të dhëna janë konfirmuar prej Shërbimit të Ndryshimit Klimatik të Bashkimit Europian, Kopernik (C3S), që ka bërë të ditur se ndryshimi klimatik po i çon nivelet e temperaturat në shkallë që nuk janë shënuar asnjëherë më parë, në kohën moderne të njerëzimit.

“Trajektorja është thjesht e jashtëzakonshme.” – ka bërë të ditur drejtori i C3S-së, Carlo Buontempo, duke përshkruar sesi çdo muaj i vitit të kaluar ishte më i ngrohtë ose i dyti më i ngrohtë për atë muaj, prej nisjes së regjistrimit të temperaturave.

C3S ka njoftuar se mesatarja e temperaturës në vitin 2024 ishte 1.6 shkallë Celsius më e lartë se në vitet 1850-1900, “periudha paraindustriale” para se njerëzit të nisnin djegien e fosileve që emetojnë dioksid karboni.

Vjet ishte viti më i ngrohtë i botës, prej kohës kur nisi regjistrimi i temperaturave dhe gjithsecili vit i dhjetë vjetëve të kaluara ishte në mesin e dhjetë vjetëve më të ngrohta në historinë e njerëzimit.

Zyra britanike e Shërbimi meteorologjik ka konfirmuar se viti 2024 me gjasë ka thyer tavanin prej 1.5 shkallësh të ngritjes së temperaturës, por duke konfirmuar se mesatarja ishte pak më e ulët, apo prej 1.53 Celsius. Edhe shkencëtarët amerikanë do të dalin të premten me publikimin e të dhënave të temperaturave për vitin e kaluar.

Qeveritë kishin premtuar me Marrëveshjen e Parisit për Klimën më 2015 se do të mundoheshin të parandalonin ngritjen e temperaturave mesatare nën 1.5 shkallë Celsius, për të shmangur katastrofa të tjera më të ashpra dhe më të kushtueshme klimatike.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com