2024-ta: Viti i atentateve

Përpjekja e dytë e dukshme për vrasjen e kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, brenda dy muajsh, është shenjë tregues se pavarësisht prej buxhetit vjetor prej 3.2 miliardë dollarësh për Shërbimin Sekret amerikan, ky mekanizëm neutralizues nuk është gjithnjë efektiv, ka shkruar të hënën (16.09.2024) Frank Gardner i BBC-së.

E as Europa, ku pronësia e armëve të fuqishme automatike është larg më e ulët krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka qenë imune sivjet.

Më 15 maj 2024, kryeministri sllovak, Robert Fico, u qëllua nga afërsia dhe ishte në gjendje kritike pasi u shënjestrua prej një burri të armatosur. Ai mbijetoi dhe pastaj iu kthye jetës publike.

Por në Lindje të Mesme sivjet, përpjekjet për vrasje, kryesisht në rrethinën e Izraelit, kishin prirje të rezultonin fatale.

Më 1 prill, një sulm ajror izraelit mbi konsullatën iraniane në Damask la të vdekur tetë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit. Në sulm mbeti i vrarë edhe një burrë që raportohej se ishte i ngarkuar me detyrën e koordinimit të furnizimeve me armë nga Irani për “Hebzollahun”. Irani reagoi me një mori sulmesh me raketa dhe dronë.

Më 30 korrik, Fuad Shukr, komandant i lartë në milicinë libaneze me mbështetje të madhe iraniane, “Hezbollah”, u vra gjatë një sulmi ajror izraelit mbi një ndërtesë në Bejrut. Të nesërmen, një shpërthim i fuqishëm në një bujtinë në Teheran vrau Ismail Haniyeh, liderin politik të “Hamasit”, të kategorizuar si organizatë terroriste nga shumë qeveri.

Izraeli nuk e komentoi publikisht se kush ishte përgjegjës, por Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit në momentin kur vetë do ta konsiderojë se është koha e duhur.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com