200 tabela digjitale instalohen në shtatë Shkolla të Kryeqytetit  

Shtatë Shkolla të Kryeqytetit janë pajisur me 200 tabela digjitale. 

Përmes një komunikate për media, Komuna e Prishtinës thotë se projekti për digjitalizimin e Shkollave, i bashkëfinancuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), është prezantuar të martën, më 04.03.2025, në shkollën “Dardania”.

Deri më tash thuhet se gjysma e klasave janë digjitalizuar. Ndërkaq, deri në  fund të këtij viti, siç njofton Komuna e Prishtinës, të gjitha klasat të pajisen me Sisteme digjitale – duke përfshirë panelet interaktive dhe qasjen në platforma digjitale të kurrikulës shkollore.

“Përveç tabelave digjitale, projekti përfshin integrimin e Inteligjencës Artificiale në Shkolla – duke e bërë Prishtinën ndër qytetet e para në rajon që implementon këtë teknologji në arsim. Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë mësimdhënësit në përgatitjen e materialeve mësimore dhe do të lehtësojë procesin e të nxënit për nxënësit.” – shkruhet ndër të tjera në komunikatë. 

Tenderi për digjitalizmin e procesit mësimor në Kryeqytet u përcoll me akuza e kundërakuza mes Komunës dhe opozitës. 

prill të vitit 2024, KALLXO.com raportoi për pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore, të shpallur nga Komuna e Prishtinës. 

Sipas kësaj partie, fituesja e tenderit është “shoqja e kryetarit Rama” dhe “përkrahëse e shefit të tij, Lumir Abdixhiku” – duke u bazuar në postimet e saj në rrjete sociale në kohë Zgjedhjesh.

Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama kishte mohuar pretendimet e subjektit më të madh opozitar në Kryeqytet – duke thënë se “ndërhyrjet e paligjshme nuk janë pjesë e politikës së tyre”.