20-vjetori i lirimit nga burgu i Serbisë Kurtin e gjeti në Bruksel si kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar lirimin nga burgu i Nishit në Serbi 20 vjet më parë, në ditën kur tash si kryeminsitër po qëndron në Bruksel duke marë pjesë të martën në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Kurti është shprehur se dy dekada pas e gjen veten duke luftuar për të njëjtat kauza si ajo e një Kosove sovrane dhe të pavarur, e cila siç thotë ai, “tani është një realitet i njohur nga shumë dhe i mohuar nga pak, dhe kërcënimi në rritje nga fqinji agresiv”.

“Në këtë ditë, dy dekada më parë, u lirova nga burgu i Nishit në Serbi. Isha arrestuar më 27 prill 1999 në Kosovë, vetëm 34 ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe caqeve të saj ushtarake e paraushtarake për ta ndalur gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas kryeministrit, takimi i sotëm i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, është moment i rëndësishëm në zbatimin e MSA-së, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA).

Nga takimet me zyrtarët evropianë, Kurti është shprehur se ka theksuar domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në gusht të vitit 1998, Albin Kurti atë kohë si student, kishte filluar punën si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999.

Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.