20-vjet nga lindja foshnjës së parë me fekondim In-Vitro (IVF) në Kosovë

Është mbajtur konferenca ndërkombëtare për të shënuar 20-vjetorin e foshnjës së parë të fekondimit In-Vitro (IVF) të lindur në Kosovë.

Procedurat e Frytnimit të Asistuar aplikohen te çiftet që kanë problem me arritjen e shtatzënive në mënyrë natyrale.

Kjo konferencë u organizua nga Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve te Kosovës.

Deputetja e Kosovës, ish-kryetare e Komisionit për Shëndetësi Albena Reshitaj kritikoi përfaqësuesit e Ministrisë se Shëndetësisë që nuk ishin të pranishëm duke thënë se ka nevojë për trajtim të projektligjit.

“Ka dështuar dy herë projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar, ka rrezik që dështon për herën e tretë, prandaj ky projektligj ka nevojë për përmirësim neë mënyrë që të marrë votat e mjaftueshme të kuvendarëve sepse lë hapësirë për keqpërdorime si është edhe pjesa e nënave surrogate” – tha ajo.

Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës tha se Kosova ka kaluar në sfida të shumta drejt ngritjes së kësaj fushe.

“Vetë fakti që janë 20 vjet të FAM në Kosovë është mjaftë”.

Ndërsa gjinekologu, Afrim Muhaxhiri tha se sfida e arritjes së shtatzënisë së parë me FAM ka qenë e madhe por tashmë Kosova ka përqindje të lartë të suksesit në këto metoda.

“Duhet ta rritim natalitetin, Kosova ka rënie të numrit të lindjeve dhe kjo është shqetësuese pēr ne si komb”- deklaroi ai.

Kjo konferencë ka sjellë profesionistë nga mbarë bota të cilët po prezantojnë të arriturat e fundit në botë në fushën e trajtimit të infertilitetit.