20 raste të reja me coronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se nga testimet e bëra sot kanë rezultuar 20 raste pozitive me coronavirus, duke e dërguar kështu në 165 numrin e të prekurve në Kosovë.

Po ashtu bëhet e ditur që një pacient është shëruar derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri me sot është njëzet e katër (24).

Sot më 06.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 129 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, njëzet (20) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë.