Ilustrim

20 minuta para vdekjes së 26 vjeçarit u kërkua egzaminimi i tij nga mjekët

Në një bisedë për emisionin Drejtësia në Kosovë Nënkryetari i Gjilanit Arben Ismajli ka rrëfyer për informacionet që i kishte komuna për problemet e Agon Musliut i cili vdiç në karantinën në Prishtinë. Ismajli ka thënë se kishin sinjalizuar Ministrinë e Shëndetësisë se 26 vjeçari Agon Musliu vuante nga depresioni dhe se të njëjtit do të duhet të iu bëhej një kontrollë urgjente.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet pas kthimit të tij në Prishtinë ne kemi njoftuar edhe Qendrën Operative dhe i kemi kërkuar që të lejohet prindi i tij të shkoj në aeroport, pas 30 minutave na është aprovuar kërkesa dhe prindi i tij mund të lëvizte deri në aeroport”, tha Ismajli për Drejtësia në Kosovë.

Ai shton tutje se babai i 26 vjeçarit nuk ishte lejuar të vizitonte djalin ndërsa shton se babai kishte treguar se zyrtarët e Qendrës së Studentëve nuk kishin pasur sjellje të mira me të.

“Jemi njoftuar nga familjarët që ai nuk është lejuar ta shoh djalin e tij, gjithashtu jemi njoftuar nga prindi që edhe pas shkuarjes nga aerporti në Qendrën e Studentëve kërkesa ka qenë me pa djalin dhe nuk është leju dhe sjellja nga zyrtarët në karantinë nuk ka qenë të mira në raport me prindin, këto janë informata që na ka dhënë prindi”, shton Ismajli.

Sinjali se djali mund të ketë probleme psikologjike ishte dhënë pak para se të regjistrohej rasti si vdekje e dyshimtë për 26 vjeçarin.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me Qendrën Operative në Prishtinë, kemi tashmë dy muaj që merremi me këto raste. Unë sa kam informata është kërkuar edhe nga Qendra jonë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore pas shkuarjes së tij në konvikt na është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe kemi kërkuar nga Qpe përmes emailit zyrtar që një ekip shëndetësor ta vizitojnë 26 vjeçrin, mirëpo sa kemi informata ekipet mjekësore nuk kanë arrit me vizitu djalin”, shtoi tutje.

Nënkryetari i Gjilanit theksoi se nga pëgjegjësia nuk duhet të ik askush.

“Në mënyrën më të sinqertë po e them, ky vend duhet me ardh në nivelin e përgjegjësisë. Unë mendoj që secili prej neve që bartim pushtet kemi përgjegjësi. Secili pej ne që jemi zgjedh e votu në pozita të tilla në supet tona kemi edhe përgjegjësinë”, ka thënë Ismajli.

Në lidhje me rastin ekipi i Drejtësia në Kosovë, gjatë gjithë javës ka tentuar që përmes kërkesave zyrtare dhe telefonatave të marrë një përgjigje edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, Përgjegjësi i Qendrës së Studentëve apo edhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Por me anë të njoftimeve dhe konferencave zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar hetim dhe zbardhje të rastit.