Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

20 anëtarët e kabinetit të kryeministrit Kurti

Dhjetëra persona janë pjesë e stafit politik dhe administrativ të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kabineti i Kurtit ka hiç më pak se 14 këshilltarë, dy prej të cilëve janë pro-bono, që nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar emrat e zyrtarëve politikë dhe administrativë në kabinetin e kryeministrit Kurti dhe rrogat e tyre.

Qeveria Kurti 2 u formua më 22 mars të këtij viti, pasi Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com nga Ministria e Financave, tregojnë se paga bazë e kryeministrit të Kosovës është 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, shef i stafit të Kurtit është Luan Dalipi i cili njëherësh mban pozitën këshilltar i lartë politik. Shefi i stafit të Zyrës së Kryeministrit ka pagën prej 1 mijë e 321 euro, kurse paga e këshilltarit të larte politik është 720.72 euro.

Qeveria e Kosovës i ka edhe dy zëdhënës, Përparim Kryeziun dhe Rozafa Kelmendin, të cilët njëherësh janë edhe këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit.

Këshilltarët politik në ZKM e kanë rrogën 600.60 euro.

Shenaj Shala është këshilltare politike dhe përgjegjëse për protokoll në ZKM.

Kurse, këshilltarë të tjerë politik janë edhe Jeton Zulfaj, Fëllanza Podrimja, Merdzan Osmani, Edison Beciri, Egzonit Jakupi, Lulëzon Jagxhiu.

Valbone Mehmeti është këshilltare politike për media, Riat Nuredini, këshilltar politik për siguri.

Në ZKM, Valë Gjonbalaj-Azemi, është zyrtare e lartë ekzekutive, Arta Berisha zyrtare e lartë administrative, Patrik Domi fotograf, Ismail Hakki Ustaibo mban pozitën e zyrtarit të lartë të protokollit  dhe Liman Hoti zyrtar i sigurimit dhe vozitës.

Ndërkaq, këshilltarë të jashtëm politik të kryeministrit Kurti janë Erzen Vraniqi dhe Tienmu Ma, këshilltar i jashtëm politik. Asnjë nga ta nuk paguhet nga buxheti i shtetit.

Në ZKM, Ibrahim Makolli është kryetar i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur (vazhdon nga 2016, emëruar me vendim të Qeverisë).

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti

KALLXO.com kishte raportuar se ish-kryeministri Avdullah Hoti pas një muaji qeverisje në kabinetin e tij kishte mbledhur 14 këshilltarë politik.

Kurse ish-kryeministri Haradinaj kujtohet për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave. Këta të fundit kishin kaluar numrin 80. 

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna për emërimet nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe gjithë ministrat për gjithë të punësuarit në kabinetet e tyre.

Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u zbatuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.

KALLXO.com në vazhdimësi do të raportojë për emërimet në dikasteret qeveritare.