Pjetër Ndrecaj në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

2 vjet pas vrasjes së Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj, Pjetër Ndrecaj ende në gjykim

Disa plumba të Kallashnikovit patën lënë të vdekur një grua dhe një vajzë nga Gjakova në njërin prej rasteve më të njohura të vrasjeve në Kosovë, në gushtin e vitit 2018

Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare ishin vrarë dhe për këtë vrasje u akuzua bashkëshorti i Valbonës, Pjetër Ndrecaj.

Vrasja e dyfishtë iu nënshtrua një gjykimi maratonik që nuk ka përfunduar ende.

Pjetër Ndrecaj ishte gjetur fajtor dhe dënuar në dy shkallë të gjykatës, për tu kthyer më pas në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Tani, për të dytën herë, çështja është drejt fundit, pasi që do të sillet shkresa e ekzaminimit psikiatrik e më pas i akuzuari Ndrecaj do të japë mbrojtjen dhe më në fund ky rast pritet të marrë epilog.

Në muajin nëntor të vitit 2018, Gjykata e Gjakovës Pjetër Ndrecajn e kishte dënuar me 24 vite burgim, për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, ndonëse i njëjti kishte thënë që vajzën e kishte vrarë aksidentalisht.

Dy muaj më vonë, atij i ishin shtuar edhe 1 vit e tetë muaj burgim për rrahjen e ish-gruas së tij.

Mirëpo, pas ankesave të palëve, në muajin janar të vitit 2019, Gjykata e Apelit e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli kishte vlerësuar se Gjykata e Gjakovës nuk i kishte vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, duke konsideruar se ishin shumëfish më të mëdha

Më pas, në muajin maj të vitit 2019, Gjykata Supreme të gjithë rastin e kthen sërish në Gjykatën e Gjakovës, në rigjykim. Supremja kishte vlerësuar se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit ishte në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së Gjakovës.

Pjetër Ndrecaj, në seancën e rigjykimit nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Në 13 faqe aktakuzë, ish-prokurori i shtetit Agron Matjani, kishte dhënë versionin e Prokurorisë për tragjedinë në Brekoc të Gjakovës.

Vlabona Ndrecaj 34 vjeçare dhe vajza e saj 9 vjeçare ishin qëlluar me kallashnikov nga plumbat, që pretendohet që u shkrepën nga burri, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj.

Aktakuza shpjegonte se Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza prapra veshit.

Prokuroria shpjegonte qartë konfliktin e çiftit dhe funksionimin e dy sistemeve për zgjidhjen e problemeve , ligjit të shtetit dhe atij të kanunit.

Disa javë para vrasjes, Pjetri ishte arrestuar nga Policia, i dyshuar për sulm ndaj gruas së tij. Ai ishte paraburgosur për 30 ditë, ndërsa pas lirimit kishte nisur zgjidhejn e problemit të tij në baza kanunore.

Në kohën kur Prokuroria e Gjakovës po merrej me hetimin e rrahjes së Valbonës, Pjetri kishte mbledhur burrat dhe sipas asaj që quhet zakon kishte shkuar në familjen e Valbonës, për të tentuar pajtimin me të.

Aty, siç shkruhet në aktakuzë ishin pritur nga familja me kafe e raki.

Daja i Valbonës ka rrëfyer në Prokurori se e kishte takuar çiftin në koridorin e shtëpisë, ku Pjetri i kishte rënë në gjunjë iah-gruas së tij por Valbona nuk kishte pranuar të rikthehej tek burri i saj.

Vëllai i viktimës kishte thënë në Prokurori se motra e tij kishte probleme me burrin pasi që e keqtrajtonte. Siç shkruhet në aktakuzë, Valbona ishte rrahur publikisht gjatë një dasme nga Pjetri. Versioni tjetër që kishte dhënë vëllai i Pjetrit, ishte se çifti kishte jetuar pa probleme.

Kur burrat ishin larguar nga shtëpia, Pjetri kishte nisur të përdorte metodën tjetër të kërcënimeve për ta bindur Valbonën të rikthehej.

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra” i kishte shkruar Pjetri Valbonës në një mesazh telefonik.

Familja kishte vendosur që sërish të kërkonte ndihmën e ligjit dhe të shtetit për ta mbrojtur Valbonën.

Vëllai i Valbonës ka treguar se pasi nuk ishte arritur marrëveshja për pajtim mes motrës dhe dhëndrit, ky i fundit i kishte telefonuar Valbonës edhe më pas, gjatë asaj dite, e kishte kërcënuar dhe shantazhuar.

Si rezultat, Valbona me dy vëllezër kishte shkuar në Polici në Gjakovë dhe e kishin paraqitur rastin.

Zyrtarët policor nuk kishin ditur si ta kualifikojnë veprën penale, si kanosje, kërcënim apo ngacmim.

Sipas dëshmisë së Kujtim Markut, Valbona kishte kërkuar siguri nga Policia e Gjakovës, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë“.

“Në rregull është, sepse tash do të merremi ne me të”, i kishin thënë Policia. Pjetri në deklaratën e tij kishte thënë se kallashnikovin e kishte blerë para dy vitesh.

Policia rezultoi se nuk kishte arritur ta zbulonte as armën e as Pjetrin deri pas vrasjes.

Familja ka shprehur dyshime në punën e policisë edhe para prokurorit. Disa ditë para vrasjes dy policë e kishin shoqëruar Pjetrin për te familja e Valbonës për t’i marrë dy nga tre fëmijët.

Policët e uniformuar sipas dëshmitarëve nuk kishin asnjë urdhër nga gjykata për ta kryer këtë veprim. Hetimet e Inspektoriatit policor, të kryera pas ngjarjes kanë ngritur dyshime se gjatë marrjes së fëmijëve, policët nuk kishin vepruar sipas ligjit.

Në këtë rast. Prokuroria kishte pushuar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aktakuza shpjegon se nga stacioni i policisë Valbona ishte kthyer në shtëpinë e vëllezërve.

Në mbrëmje, Pjetri kishte ardhur në shtëpinë e miqve dhe në momentin që e ka parë Valbonën ka shkrepur kallashnikovin.

Plumbat e kishin kapur në pjesë të ndryshme Valbonën. E tri plagë i janë shkaktuar edhe vajzës së mitur, ecila do të vdiste pak minuta më vonë në Spitalin e Gjakovës, ku familjarët e kishin çuar atë dhe nënën e saj me vetura të Policisë.

Ndërsa, i akuzuari, sipas aktakuzës, pasi ka përshkruar takimin mes miqve dhe përpjekjet për t’u bashkuar me Valbonën, ka treguar se kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte marrë armën e më pas kishte shkuar te shtëpia ku jetonin vëllezërit e bashkëshortes së tij. Ka thënë po ashtu se armën e kishte marrë vetëm për ta frikësuar Valbonën në mënyrë që ajo të kthehej.

Pjetër Nrecaj ka thënë se kur ka shkuar te shtëpia e miqve ka parë Valbonën, nënën e saj dhe vëllezërit dhe se njëri prej tyre ia ka përplasur derën për fytyrë e tjetri ka pasur pushkë të gjatë në dorë dhe se nga frika ka shkrepur armën e tij në mënyrë të pakontrolluar dhe kur ka dalë jashtë ka shtënë në ajër.

Deklarata e Pjetrit është kontestuar nga vëllezërit e Valbonës ata kanë deklaruar se në asnjë rrethanë  dera nuk ishte përplasur në fytyrën e ish- dhëndrit të tyre.

Aktakuza e prokurorit Agron Matjani tregon edhe amanetin e Pjetrit për të vëllain, të cilin e kishte telefonuar pak minuta pas vrasjes. “Baca Prek e kam vra Valbonën, amanet fëmijët” i kishte thënë Pjetri të vëllait në një telefonatë pak minuta pas ngjarjes.

Në këtë rast gjyqësor kanë dëshmuar edhe dy vëllezërit e të ndjerës Valbonë, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

Në një seancë ishte kërkuar raporti psikiatrik për të akuzuarin.

Ndërkohë, ishte djegur edhe shtëpia e Valbona Marku-Ndrecaj.

Dy seanca ishin shtyrë për shkak të kërkesës së Prokurorisë, e kjo e fundit për shkak të gjendjes së prokurorit, të dyshuar për Covid-19.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ai ishte sjellë në gjykatë i lidhur me zingjirë.

Për këtë rast, nga ana e mbrojtësit të familjes së dëmtuar ishte kërkuar edhe përjashtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë.

Gjatë fazës së hetimeve, i dyshuari Nrecaj kishte refuzuar të flasë në Prokurori, duke e kushtëzuar deklaratën e tij për një takim me fëmijët e tij.

Raporti hetues i Inspektoriatit Policor të Kosovës, kishte vlerësuar se Policia e Gjakovës rastin e ka trajtuar siç duhet, duke thënë që Porkuroria ishte ajo që nuk kishte kërkuar veprime shtesë nga Policia, ndërsa viktima nuk kishte kërkuar mbrojtje.

Për këtë rast, ishin mbajtur edhe protesta të ndryshme në qytete të Kosovës, e edhe në qytetin e Gjakovës.

FOTO: Protestë në Gjakovë për nënën dhe të bijën e vrarë në Brekoc