197 ditë pasi u përurua, fillon punën spitali pediatrik-kirurgjik “Sheikha Fatima”

Është dashtë të kalojnë 197 ditë prej përurimit, që spitali 22 milionësh brenda QKUK-së të nis punën dhe pacientët të mund të marrin shërbime.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka filluar punën spitali pediatrik-kirurgjik “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministria ka njoftuar se sot në ditën e parë të punës janë kryer dy operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia specialistike.

“Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, ky spital është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë e Kosovës dhe ka kushtuar 22 milionë euro.

Gjithashtu, ky spital pediatrik –kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore; ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve; Sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara; Njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe Endoskopisë së Fëmijëve; Sterilizimin qendror; Mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve; Departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike.

Punimet për ndërtimin e këtij spitali filluan në mars të vitit 2016 kurse më 13 shtator të vitit, 2021 ky spital u përurua.

KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët për faktin se spitali që ishte përuruar si i kryer, nuk kishte nisur punën.

51 ditë pas inaugurimit, Spitali i Pediatrisë nuk funksionalizohet