196 klerikë gjermanë kanë abuzuar me fëmijët në dioqezën e Münsterit

Të paktën 196 klerikë abuzuan seksualisht me fëmijët gjatë disa viteve në një dioqezë katolike gjermane, sipas një raporti të ri të pavarur, raporton Euronews.

Sipas raportit kishte një “dështim masiv të udhëheqjes” gjatë mandateve të peshkopëve të dioqezës së Münsterit midis viteve 1947 dhe 2008.

Tutje raporti zbuloi se kishte të paktën 610 viktima të abuzimit në kishë midis viteve 1945 dhe 2020, por numri i vërtetë mund të jetë deri në 6,000.

Rreth 5% e 196 klerikëve ishin abuzues “serial”, përgjegjës për më shumë se 10 akte secili, thuhej në raport.

Hulumtimi u porosit nga dioqeza në Gjermaninë perëndimore dhe u krye për dy vjet e gjysmë nga Universiteti i Münster-it.

Ky hulumtim thotë se anëtarët e dioqezës së kishës i kishin mbuluar skandalet e abuzimit ose “ndërhynin vetëm sipërfaqësisht”.

“Peshkopët dhe zyrtarët e tjerë në udhëheqjen dioqezane në disa raste ishin gjerësisht në dijeni për abuzimin”, tha bashkëautori i raportit Thomas Grossbölting.

Shumica e priftërinjve të dyshuar për abuzim në Münster thjesht u zhvendosën në një pozicion të ri në vend që të kufizohonin detyrat e tyre pastorale, zbuloi studimi.

196 klerikët e dyshuar abuzues përbëjnë rreth 4% të të gjithë priftërinjve në dioqezë midis viteve 1945 dhe 2020.

Peshkopi i Munsterit Felix Genn u ka kërkuar falje viktimave të abuzimit dhe mbulimit nga zyrtarët e kishës dhe u zotua për “pasoja të mëtejshme”.

Në vitin 2018, një raport i porositur nga kisha arriti në përfundimin se të paktën 3,677 njerëz u abuzuan nga një klerik në Gjermani midis viteve 1946 dhe 2014. Më shumë se gjysma e viktimave ishin 13 vjeç ose më të rinj, dhe gati një e treta shërbenin si djem altar.

Studimi i bërë në Münster është një nga të shumtët që qysh atëherë janë thelluar në dekada të abuzimeve në dioqeza individuale, duke shtuar presionin për reformën e kishës.

Në janar, një raport i porositur nga kryepeshkopata e Mynihut fajësonte trajtimin e rasteve të abuzimit atje nga një varg zyrtarësh të kishës në të kaluarën dhe të tashmen – përfshirë edhe Papa Benediktin XVI në i cili tani është pension.

Të hënën, dioqeza e Essen tha gjithashtu se një prift i cili ishte dënuar për abuzim me dhjetëra fëmijë në vitet 1970 dhe 1980 është përjashtuar nga kleri./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala