Xhemajl Mustafa, zyrtar i LDK-së, i vrarë më 23.11.2000 - Foto: Facebook

19 vjet nga vrasja e Xhemajl Mustafës, kryetari i LDK-së kërkon zbardhjen e vrasjes së tij

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton veprimtarin Xhemajl Mustafa në 19 vjetorin e vrasjes së tij.

“Me dhimbje dhe krenari përkujtojmë një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, kujtojmë bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit Rugova, një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, publicistin, shkrimtarin dhe veprimtarin e Kosovës, Xhemajl Mustafa”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

“Xhemajli ishte i veçantë, kishte guxim, ishte vizionar dhe punëtor, luftëtar i madh për çlirimin e Kosovës. Xhemajl Mustafa, intelektuali i jashtëzakonshëm të cilin e humbi Kosova, fuqishëm luftoi ta artikuloj mesazhin për realizimin e ëndrrës për liri dhe pavarësi përmes informimit të opinionit vendor e ndërkombëtar për kauzën e Kosovës”, thuhet në përkujtimin e Mustafës.

“Veprat e Xhemajl Mustafës janë gjurmë e pashlyeshme e të kaluarës dhe të tashmës për të gjithë ne. Institucionet e Kosovës duhet të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Xhemajlit dhe shumë veprimtarëve tjerë, që padrejtësisht i ndalën së luftuari për ëndrrën e tyre dhe të gjithë neve, pavarësinë e Kosovës”, përfundon njoftimi.