19 vjet nga vdekja e Rugovës: Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë bëjnë homazhe te varri i tij

Janë mbushur 19 vjet nga dita kur Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, më 21.01.2025, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe te varri i tij në Velani të Prishtinës.

Pas homazheve, presidentja Osmani ka deklaruar se aleancat që i ka ndërtuar Rugova kanë ndihmuar në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

“[Presidenti Rugova] Dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë për popullin tonë, kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshtën më së shumti në ato kohë të vështira e të cilat rezultuan me intervenimin e NATO-s, i cili edhe e ndihmoi çlirimin e Kosovës. E, pastaj mbështetja e këtyre shteteve mike e ndihmoi edhe pavarësinë e shtetit tonë.” – u shpreh presidentja Osmani.

Kontributi i Ibrahim Rugovës, siç ka thënë ajo, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe për brezat që vijnë.

“Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës. Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm, që i solli politikës dimensionin human të saj – dimension që fatkeqësisht mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe politikbërjes në Kosovë, por edhe kudo që shkojmë në botë. Jemi mirënjohës për këtë kontribut të tij, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm për ne që jemi sot në udhëheqje të Kosovës, por edhe për brezat që do të vijnë pas.” – shtoi presidentja Osmani, e cila në mënyrë simbolike ka shkuar në homazhe me veturën e restauruar të Rugovës.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944, në fshatin Cërcë të Komunës së Istogut.

Ai ishte bashkëthemelues i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës.

Vdiq, më 21 janar 2006.