19 vite burgim ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

Edhe në rigjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, dy të miturit janë gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës duke u dënuar të dy së bashku me 19 vite dënim me burgim.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Tomë Gashi, i cili pas shpalljes së aktgjykimit më 31.07.2024 ka thënë se edhe në rigjykim të miturit janë shpallur përgjegjës për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.

“Gjykata ka vendosur përsëri për rastin e të miturve që kanë qenë të involvuar në vrasjen e Lulzim Fejzullahut. Të njëjtit i ka shpallur përgjegjës dhe ka vendosur si dhe herën e kaluar si majin e këtij viti duke i shqiptuar dënim njërit në kohëzgjatje prej 10 vitesh, dhe tjetrit në kohëzgjatje prej 9 vitesh” – ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

Sipas avokatit që përfaqëson familjen Fejzullahu, vendimi i rigjykimit ka vërtetuar se Apeli e ka kthyer në rigjykim rastin për çështje krejtësisht formale, teknike.

Sipas deklarimit të avokatit të bërë menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, i cili u dha me dyer të mbyllura për publikun, të miturit janë shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

“Duhet ta dini se gjykata i ka shpallur të miturit fajtor për vrasje të rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre se ka qenë diçka incident momental” – ka thënë Tomë Gashi.

Avokati po ashtu ka thënë se lidhur me vendimin për burgim në kohëzgjatje prej 9 vitesh për njërin nga të miturit beson se do të ushtrojë ankesë.

Kallxo.com ka tentuar të kontaktojë avokatët Skender Musa dhe Florent Latifaj të cilët kanë mbrojtur të miturit e akuzuar. Avokati Skender Musa vetëm ka konfirmuar përmes telefonit se do të ushtrojnë ankesë, kurse Avokati Florent Latifaj nuk është përgjigjur.

Gjykata në Prishtinë më 23.05.2024 kishte dënuar me 19 vjet dënim me burgim dy të akuzuarit e këtij rasti për vrasje të rëndë.

Njëri i mitur ishte dënuar me 10 vjet dënim me burgim, kurse i mituri i dytë me 9 vjet dënim me burgim.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në pikën zero, ku seanca e parë në rigjykim lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 24.07.2024.

18-vjeçari Lulzim Fejzullahu vdiq më 20.01.2024, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga të akuzuarit në Podujevë.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës kishte treguar se kishin filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Në një video-incizim, që u publikua në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.

Për këto pamje të publikuara kishte reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi, sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë.

Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.
Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.