Rasti 'Toka' 27.09.2019

19 të akuzuarit në rastin ‘Toka’ janë deklaruar të pafajshëm

19 personat e dyshuar në rastin “Toka 1” kanë deklaruar në Gjykatë se janë të pafajshëm për akuzat me të cilat po përballen.

Ata akuzohen se nga viti 2006 deri në vitin 2016, në territorin e Kosovës, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Andaj dhe akuzohen për veprën penale ‘krim të organizuar’.

Sipas palëve në procedurë, ky gjykim është pothuajse në përfundim, ata deklaruan se qëndrojnë prapa deklaratave të dhëna më parë. Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre deklaruar se nuk është arritur të vërtetohet fajësia apo pretendimet e prokurorisë ndaj të akuzuarve.

Gjithashtu, Prokurori Special Naim Abazi njoftoi se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në vitin 2019.

Gjatë fjalës hyrëse, i akuzuari Shaban Syla ëshë deklaruar duke thënë se ndihet i diskriminuar.

“Kjo aktakuzë është aktakuzë e mbarësuar në Beograd dhe e përcjellë nga prokurorët e EULEX-it në Kosovë, duke u bazuar në spiunin e njohur nga mediat vendore dhe ndërkombëtare Nazim Bllaca”, tha i akuzuari Syla.

Avokati i të akuzuarit Shpresim Uka, Afrim Syla, tha se në aktakuzë në çdo pjesë elaborohet viti 2007-2016, por nuk ceken askund data të sakta për kohën e kryerjes së veprës penale.

“Kërkoi që të sqarohet kjo çështje, me këto pretendime nuk dihet si të thirren në parashkrim kur nuk dihet saktë kur është kryer vepra penale” shtoi avokati Syla.

Tutje, avokati i të akuzuarit Ilaz Syla, Haxhi Millaku ka kërkuar nga prokuroria që të pastrojë tekstin e aktakuzës në raport me klientin e tij.

Sipas avokatit Millaku pas pastrimit të tekstit të aktakuzës, trupi gjykues të mund të vlerësojë se për secilën pjesë çka kërkohet në raport me të akuzuarin Syla.

Sa i përket të akuzuarit Vidosav Novakoviq, e të cilit lënda i është bashkuar me aktakuzë të re, tha se ka ardhur në Kosovë nga Republika e Serbisë pasi që ka qenë i frikësuar për sigurinë e tij.

“Prokurori italian ka kërkuar të dëshmoj kundër Azem Sylës, por e kam refuzuar pasi që Azem Sylën nuk e kam njohur kurrë, ku për herë të parë po e shoh në seancën e sotme”, shtoi i akuzuari Novakoviq.

Tutje, ai tha se e ka tërhequr shtetësinë e shtetit serb dhe se është shtetas i Republikës së Kosovës, ku i jeton dhe vepron edhe familja e tij dhe se do të vërtetojë pafajësinë e tij në këtë gjykim.

Në shqyrtimin e sotëm, ishin prezent edhe tre dëshmitarë të cilët kishin deklaruar edhe më herët në po këtë rast.

Dëshmitarët Jeton Govori, Bademe Kelmendi dhe Naser Hoxha deklaruan se qëndrojnë pas deklaratave që i kishin dhënë në shqyrtimin e mëhershëm.

Dëshmitari Govori njoftoi se nëse nuk gabonte ishte takuar dy herë me të akuzuarin Ilaz Syla, por se nuk kishte pranuar mjete financiare nga aj.

Në kundërpërgjigje të kësaj, i akuzuari Syla tha se “unë s’kam qenë te noteri, e që në Komunën e Drenasit nuk kam vërtetuar as autorizim të kerrit kurrë”.

Dëshmitarja Bademe Kelmendi njoftoi se në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka punuar si bashkëpunëtore profesionale, kryesisht në lëmin civile në shqyrtim të trashëgimisë.

Dëshmitarja Kelmendi tha se me kryetarin ishte këshilluar si dhe zakonisht kanë punuar rastet sipas radhës përveç në raste urgjente.

Sipas saj, rastet urgjente ishin rastet të shpronësimeve, apo ato të nacionalitetit serb, në rast të ndonjë sëmundjeje, kur kërkesa është shqyrtuar nga kryetari shtoi ajo.

Në vazhdim të seancës, mbrojtja ka parashtruar kërkesa prej të cilave shumica kanë të bëjnë më lirim të masës së paraburgimit.

Avokati Kollqaku kërkoi edhe pezullimin e procedurës ndaj të akuzuarit Fahredin Gashi për shkak të gjendjes mentale të tij, mirëpo se edhe sipas tij nuk qëndrojnë asnjë nga pikat për të cilat i është caktuar paraburgimi.

Avokati Gëzim Kollqaku njoftoi për raportin e pesë mjekëve profesionit lidhur me të akuzuarin Fahredin Gashi, e që ka të bëjë me pamundësinë e të njëjtit të kuptoj aktakuzën, të kuptojë zhvillimin e procedurës apo edhe të konsultohet me avokatin e tij.

Edhe i akuzuari Shaban Syla ka kërkuar që t’i ndërpritet masa e paraburgimit për shkaqe personale-familjare.

Gjithashtu, avokati i të akuzuarit Lubisha Vujoviq, Zhivojin Jokanoviq ka kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj klientit të tij.

Me pretekstin se i akuzuari Vujoviq është nën këtë masë që 6 vite e dy muaj.

Ndërsa, zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak e kërkoi edhe avokati Malokaj për të akuzuarin Novakoviq duke garantuar se i njëjti do të paraqitet në organet e drejtësisë sa herë që i kërkohet.

Sipas avokatit Halim Koliqi, njëra nga veprat për të cilat akuzohet Palushi është edhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’, e që sipas tij për këtë vepër në raport me klientin e tij ka arritur parashkrimi absolut.

Për shkak të disa propozimeve dhe shkresave në gjuhën serbe, gjykatësi Hoti i kërkoi prokurorit të rastit që në afat prej 5 ditësh të përgjigjet me shkrim dhe se lidhur me këto çështje do të vendoset jashtë seancës.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 8 dhe 12 Shtator 2022.

Kjo aktakuzë voluminoze fillimisht ishte ngritur nga prokurori italian Danillo Ceccarelli, e që identifikohet me emrin “TOKA”.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, është në krye të listës së personave që kanë zënë vend në këtë aktakuzë, ku Prokurorit Italian i ishin dashur 264 faqe për të argumentuar këtë.

Në këtë rast përveç Azem Syla akuzohen edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Të lartcekurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje të mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Në këtë rast, në fillim të akuzuar kanë qenë 22 të akuzuar, mirëpo ndaj N.U dhe SH.M ka pushuar procedura pasi që kanë ndërruar jetë.

Ndërsa ndaj tre të akuzuarve të tjerë Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës ishte veçuar procedura për shkak të pamundësisë së sigurisë së tyre.

Mirëpo, ndaj të akuzuarve Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, gjykatësi Arben Hoti sërish ka bashkuar procedurën penale për shkak se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë, dhe se do të merret një aktgjykim.

Gjykimi i Azem Sylës dhe 21 të tjerëve, dëshmitari: Pagova 210 mijë euro e tokën s’e mora kurrë