187 konsumatorë u zunë duke vjedhur rrymë, reagon Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se vjedhja e energjisë elektrike nga qytetarët i kushton Kosovës miliona euro.

Sipas kësaj ministrie, tha se humbjet komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm në vitin 2021 arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar ato.

“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale, por janë një kosto e papërballueshme për qytetarët e vendit të cilët i paguajnë këto kosto në fatura…Veçanërisht në kohë krize, është kritike që të jemi të ndërgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit e ndaj vendit tonë për të lehtësuar përballjen me pasojat negative”- thuhet në njoftim.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se kanë zënë 187 konsumatorë duke e vjedhur energjinë elektrike gjatë një aksioni njëjavor.

“Vetëm gjatë javës së kaluar në të gjitha distriktet dhe nëndistriktet janë kryer 1963 kontrolle të konsumatorëve të energjisë elektrike, për të cilët dyshohej se po keqpërdorin rrymën. Prej tyre 187 u vërtetua se po e anashkalonin matjen e saktë të energjisë elektrike. Keqpërdorimi i energjisë elektrike është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Rastet e tilla, ekipet e KEDS-it do t’i parashtrojnë për procedura të mëtutjeshme gjyqësore”- thotë KEDS në njoftim.