Ilustrim
185 policë të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa ajo që kanë
“185 zyrtarë policorë vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit”.
Kjo është një nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit, që është prezantuar në raportin e vitit 2023 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas ZKA-së një numër i stafit policor vazhdon të jetë i sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative.
Kjo e gjetur ishte prezantuar edhe në raportin e vitit 2022, mirëpo numri i zyrtarëve të tillë është rritur nga 133 në 185 policë.
Në raportin e ZKA-së thuhet se Policia e Kosovës në vitin 2024 ka filluar me procesin e gradimit për pozitën rreshter, vonesat e të cilit ishin ndikuar nga struktura organizative e Policisë e cila ka qenë në plotësim-ndryshim si dhe nga situata e krijuar në vend.
ZKA në raport thekson se sistemimi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate mund të ndikojë që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale.
Rekomandimi i ZKA-së për ministrin dhe drejtorin e përgjithshëm të PK-së është që të njëjtët “duhet të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të bëhet pas plotësimit të gradave dhe kushteve për vendin e caktuar të punës dhe që procesi i gradimit është duke u zhvilluar për t’ju përgjigjur nevojave të PK-së”.
MPB, sipas raportit të Zyrës së Auditimit është pajtuar me këtë të gjetur.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, kjo ministri ka marrë shtatë rekomandime, prej tyre tri rekomandime të reja, tri të përsëritura, dhe një pjesërisht të përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej pesë rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, vetëm një rekomandim është zbatuar, një është zbatuar pjesërisht ndërsa tri rekomandime të tjera nuk kanë filluar të zbatohen.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike mund ta gjeni në këtë LINK.