1,800 euro gjobë të akuzuarit për dhënie ryshfeti për punësim në KEK

Gjykata e Prishtinës, e shpalli fajtor Egzon Hyseniin, për veprën dhënie ryshfeti, vepër kjo të cilën ai e kishte pranuar në seancën e kaluar gjyqësore.

Për këtë vepër, ai mori dënim me gjobë në vlerën 1,800 euro.

“Egzon Hyseni është gjetur fajtor sepse ai i ka dhënë në mënyrë të drejtpërdrejt në shumën prej 2,000 eurove Sylejmon Pllanës që i kishte premtuar se do ta punësoje në KEK në cilësinë e vozitësit”, tha gjyqtarja Naime Krasniqi.

“Gjykata i shqipton dënim me burgim dhe gjobë 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë”, tha ajo.

Mirëpo dënimin me burgim ia zëvendësuan më dënim me gjobë në vlerë 1,500 eurove, që gjithsej i bie se dënim me 1,800 euro, e gjithashtu i caktoi për pagim edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore, sipas ligjit.

Aktakuza thotë se gjatë muajit prill të vitit 2019, Sylejmon Pllana, inxhinier në KEK është takuar më tani të pandehurin Egzon Hyseni në një kafene në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Pllana i ka kërkuar ryshfet shumën e parave prej 5,500 eurove nga i pandehuri Egzon Hyseni, duke i premtuar se do ta punësonte në KEK, si vozitës, duke i marrë fillimisht ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë shumën e parave prej 2,000 eurosh.

Ndërsa shumën e parave prej 500 eurove, thuhet se e ka marrë ryshfet prej të pandehurit Egzon Hyseni, në kafenenë e cila gjendet në sheshin e Prishtinës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sylejmon Pllana pjesën tjetër të parave në shumë prej 3,000 eurove i kishte thënë të pandehurit Egzon Hyseni, “mi jep kur ta marrësh pagën e parë në KEK”.

Zyrtari i KEK-ut akuzohet se mori ryshfet për ta punësuar dikë