18 komuna të Kosovës nuk kanë asnjë rast aktiv me COVID-19

186 raste aktive me coronavirus janë aktualisht në Kosovë.

Rastet aktive me COVID-19 por edhe ato pozitive në Kosovë kanë shënuar rënie javëve të fundit nëse krahasojmë me rastet e disa javëve më parë.

Dragashi, Novëbërda, Klina,  Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Mitrovica e Veriut, Vitia, Parteshi, Kllokoti, Mamusha, Zubin Potoku, Shtërpca, Rahoveci, Leposaviqi, Zveçani, Fushë-Kosova dhe Shtimja nuk e kanë asnjë rast aktiv me COVID-19.

Në anën tjetër, Suhareka e Juniku kanë nga një rast aktiv, Kamenica dy raste, Obiliqi, Malisheva dhe Deçani kanë nga tre raste aktive, nga katër raste kanë Skenderaj dhe Drenasi, Kacaniku ka gjashtë raste, ndërsa nga shtatë të tillë janë në Podujevë e Istog, tetë raste ka Vushtrria.

Komunat me mbi 10 raste aktive janë Gjilani, Lipjani, Gjakova, Peja, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica e Prizreni.

Prizreni ka 30 raste aktive dhe radhitet komuna me më së shumti raste në nivel vendi.

Nga të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë thuhet se në nivel vendi janë shënuar 15 raste pozitive me SARS-CoV-2 brenda 24 orëve,  përderisa nuk është shënuar asnjë rast I vdekjes, ndërsa janë shëruar 67 qytetarë.

Deri më tani SARS-CoV-2 ka prekur 107,610 qytetarë, 2,250 prej tyre kanë vdekur ndërsa 105,174 te tjerë janë shëruar.

Kosova dje ka filluar vaksinimin masiv kundër COVID-19, përderisa fushata e imunizimit për kategori të caktuara ka filluar më 29 mars 2021.

Për rreth katër muaj në nivel vendi janë vaksinuar 110.097 qytetarë.