18 ankesa ndaj agjencive brenda një viti në AIP, 13 prej tyre për Autoritetin e Aviacionit Civil

Nga shtatori i vitit 2021 e deri në shtator të vitit 2022 në Agjencinë për Informim dhe Privatësi janë dorëzuar 18 ankesa për mohimin e të drejtës së qasjes në dokumente publike nga agjencitë. 13 prej tyre apo 72% e ankesave janë bërë ndaj Autoritetit së Aviacionit Civil të Kosovës.

“Autoriteti i Aviacionit Civil – 13 ankesa, Agjencia Kosovare e Privatizimit – 3 ankesa, Agjencia e Akreditimit – 1 ankesë, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas – 1 ankesë”-thuhet në përgjigjen e AIP-së për KALLXO.com.

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) duke iu referuar kësaj të dhëne të publikuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka thënë se ankesa të shumta janë nga vet stafi i AAC-së, që sipas kësaj sindikate në mënyrë sistematike iu mohohet qasja në dokumente publike të institucionit ku punojnë nga drejtori i Përgjithshëm, Bujar Ejupi.

Sipas kësaj Sindikate që nga marrja e mandatit, Ejupi menaxhon me institucionin në mënyrë jo-transparente dhe se kjo ia ka pamundësuar stafit që të ushtrojnë funksionin e tyre publik.

“Dy nga ankesat më të rëndësishme të drejtuara në AIP dhe të cilat janë zgjidhur vetëm pas reagimit të AIP janë fshehja për dy vite me radhë e shkresave zyrtare që kanë të bëjnë me shërbimet në tokë nga departamenti i cili ka në fushëveprim këtë çështje si dhe përpjekja e Bujar Ejupit që të mbajë për vete audio incizimet e takimeve të menaxhmentit duke iu mohuar qasjen pjesëmarrësve të takimit” – thuhet në njoftim.

Tutje, në reagimin e SPAAC thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil është shndërruar në një institucion ku stafi detyrohen që përmes një institucioni i jashtëm të sigurojnë qasje në dokumente të cilat iu nevojiten.

“Është për keqardhje që AAC nga një institucion në të cilin të gjitha aktivitetet, vendimet, planet, trajnimet, procesverbalet janë ndarë me gjithë stafin në mënyrë transparente për më shumë se një dekadë është shndërruar në një institucion në të cilin stafi detyrohen që përmes vendimeve detyruese nga një institucioni i jashtëm të sigurojnë qasje në dokumente të cilat iu nevojiten për të kryer detyrat e përditshme të punës” – thuhet më tutje në reagim.

Lidhur më këto akuza të Sindikatës dhe të dhënat e publikuara nga AIP, KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të AAC-së, në adresën zyrtare të drejtorit Bujar Ejupi, përmes mesazhit dhe po ashtu të njëjtin ka tentuar ta kontaktojë përmes telefonit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje as nga AAC e as nga Ejupi.

Në korrik të këtij viti, Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenin 20 të ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.

E këtë kërkesë, bordi mbikëqyrës e ka arsyetuar në një letër 4 faqëshe në të cilën ka listuar katër shkelje që ata pretendojnë që i ka bërë drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi.

Pak ditë para kësaj kërkese, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil përmes një komunikate për media kanë thënë se drejtori i përgjithshëm Bujar Ejupi po rrezikon kapacitetet humane mbikëqyrëse të AAC-së.

Sipas tyre, Ejupi ka nisur një fushatë hakmarrëse ndaj stafit profesional të aviacionit duke ndërhyrë në procesin e dhënies së kredencialeve të inspektorëve mbikëqyrës të aviacionit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur më këtë çështje, raportimet mund t’i gjeni KËTU.