17 persona intervistohen për vdekjet e dyshimta brenda Klinikës Infektive

 

Policia e Kosovës ka intervistuar 17 persona në lidhje me vdekjet e dyshimta të cilat kanë ndodhur në Klinikën e Infektivës të dielën e javës së kaluar.

KALLXO.com mëson se 17 personat janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

Gjithashtu burimet e KALLXO.com brenda policisë kanë treguar se hetuesia po pret edhe rezultatet e autopsisë dhe ekzaminimit të pajisjeve dhe aparaturave të oksigjenit ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Rasti gjithashtu është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë.

KALLXO.com gjatë gjithë javës ka kërkuar sqarime dhe detaje të hetimeve edhe nga ana e Prokurorisë së Prishtinës.

Të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje për rezultatet e hetimeve.

Të dielën e javës së kaluar, policia kishte rrethuar Klinikën e Infektivës pas dyshimeve për disa vdekje të mistershme të cilat kishin ndodhur orët e para të mëngjes të së dielës.

Dyshimet ishin për katër vdekje të njëpasnjëshme. Pacientët kishin qenë të infektuar me covid-19.

Ish-drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu në një konferencë për media kishte thënë se ka qenë një mjek kujdestar që kishte njoftuar shërbimin teknik pasi ishte informuar për rreth katër vdekje të cilat kishin ndodhur në një afat të shkurtër kohor.

Ministria e Shëndetësisë sot e atë ditë nuk ka dhënë diçka konkrete në lidhje me këtë rast.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë të dijë edhe nëse do të hetohet procesi i shërbimit dhe mirëmbajtjes së aparaturave të oksigjenit në klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Në një përgjigje të shkurtër ata kanë rekomanduar që të bazohemi në një njoftim të QKUK se nuk ka pasur probleme në pajisje të oksigjenit.

 

Vajza e njërës nga viktimat e COVID-19: Dyshimet e mia janë se nuk e trajtuan babain mirë me oksigjen- VIDEO

 

.