
Ilustrim
17 nxënës digjen për vdekje nga zjarri në një Shkollë në Nigeri
Së paku 17 fëmijë janë djegur për vdekje në zjarrin në një Medrese islamike në Nigerinë veriore – raporton të mërkurën më 05.02.2025 televizioni britanik BBC.
Shumë nxënës janë lënduar dhe janë dërguar në Qendrat e Shëndetit në qytezën Kauran Namoda, në shtetin Zamfara, për trajtim.
Besohet se zjarri ka shpërthyer në një shtëpi në afërsi të martën mbrëma dhe është përhapur në objektin e Shkollës gjatë kohës kur nxënësit të cilët besohet se janë tinejxherë ishin në gjumë.
Autoritetet lokale dhe ekipet e reagimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por zjarri tashmë kishte marrë jetën e 17 fëmijëve.
Dëshmitari Yahaya Mahi i ka thënë BBC-së se lokacioni i Shkollës e ka vështirësuar punën e ekipeve që po mundoheshin ta fiknin zjarrin.
“Megjithëse zjarrfikësit erdhën me kohë ishte e vështirë që të arrinin për shkak të rrugës së ngushtë të konviktit.” – ka thënë ai.
Zyrtari lokal Mannir Haidara ka thënë se Shkollat e tjera islamike do të inspektohen që të sigurohen se nuk rrezikohen nga zjarri.
“Ne do të marrim masa për të parandaluar përsëritjen e kësaj natyre.” – ka thënë ai.
Babai i njërit prej viktimave i ka thënë BBC-së se është dërrmuar me shpirt, por beson se besimi në Zot do t’ia lehtësojë dhimbjen.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com