Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

168 policë mbeten të pasistemuar në bazë të gradës që kanë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 168 zyrtarë policorë vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë sesa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit.

Sipas Auditorit në raportin e vitit 2020 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, krahasuar me vitin paraprak numri është zvogëluar nga 198 në 168.

Situata e tillë, sipas Auditorit, mund të ndikojë që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale.

“Udhëzimi Administrativ nr.02/2019 për procedurën e gradimit për zyrtarët policor përcakton kriteret që duhet t’i plotësoj secili Zyrtari Policor për pjesëmarrje në gradim dhe procesin e testimit që duhet t’i nënshtrohet për të marrë gradën e caktuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Vlen të theksohet se PK, kishte kryer disa procese të gradimit për reduktim të numrit të punësuarve që ushtrojnë pozita me grada më të larta por deri më tani këto procese janë të pamjaftueshme për respektimin e plotë të kritereve të sistematizimit në vendet e punës sipas gradës përkatëse. Pra, në raport me vitin paraprak është zvogëluar nga 198 në 168”, thuhet tutje në raport.

ZKA ka rekomanduar ministrin dhe drejtorin e përgjithshëm të PK-së që të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të bëhet pas plotësimit të gradave dhe kushteve për vendin e caktuar të punës dhe procesi i gradimit të zhvillohet duke iu përgjigjur nevojave të PK-së.