
1,600 Kontrata njëburimore po hetohen nga Prokuroria Speciale?
Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale (PSRK), Valdet Gashi gjatë prezantimit të Raportit vjetor 1 janar – 31 dhjetor 2024 ka thënë se kjo Prokurori është duke trajtuar rreth 1,600 Kontrata njëburimore.
Këtë Gashi, i cili është njëherë edhe Prokuror Special, e ka thënë në mbledhjen e 261-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Ju lutem ato janë 1,600 Kontrata që janë duke u trajtuar nga këta prokurorë. 1,600 Kontrata dojnë punë. Rezultati i saj nuk mund të jetë për 1 muaj, 2 muaj, 3 muaj, 4 muaj. Ato dojnë kohë.” – tha Gashi.
Këtë e tha pasi njëri nga anëtarët e Këshillit Prokurorial e pyeti Gashin për vonesat procedurale, që shoqërojnë trajtimin e rasteve në këtë Prokurori.
“Mirëpo, iu referove ti numrit të prokurorëve, ta keni parasysh prokurorët kanë filluar në qershor të vitit të kaluar. Një diçka që ka të bëjë me prokurorë që kanë ardhë: 9 prokurorë, sidomos ata që janë të caktuar në Departamentin për Korrupsion. Ndoshta është informatë që ju jep përgjigje dhe jua shtjellon këtë çështje për çka po pyetni.” – tha tutje Gashi.
Valdet Gashi tha se vonesat në lëndë të Prokurorisë Speciale janë të shoqëruara me disa elemente – njëra ndër to sipas tij është edhe bashkëpunimi me institucionet e tjera.
Sipas tij për të siguruar një informacion për një çështje të caktuar duhet të pritet përgjigja nga institucioni përgjegjës, që në disa raste shoqërohen me vonesa në kthim të përgjigjes.
“Ne kemi vetëm një informacion. E kemi një Kontratë, me numër të Kontratës të prokurimit. Tash për me ardh te një vlerësim te puna e hetimit të atij rasti, duhet me grumbullu informacione. Nuk e thashë rastësisht që puna jonë varet shumë edhe prej instucioneve të tjera zbatuese të ligjit. Janë aktivizu të gjitha. Janë aktivizu prokurorët. Janë tu prit përgjigje prej hetuesve policorë – sipas autorizimit të Prokurorit, që ata duhet të veprojnë.” – tha tutje Gashi.
Prezentohen raportet vjetore nga Kryeprokurorët e Prokurorive për vitin 2024