16-vjeçari kultivoi 80 fidanë kanabis, por lirohet për shkak të moshës

Një 16-vjeçar, i dyshuar si kultivuesi i 80 fidanëve të bimës narkotike kanabis, është kapur dhe është lënë procedohet në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur në fshatin Koplik i Sipërm, Shkodër, ku u gjetën nga kontrolli i imtësishëm me dron,  80 fidanë të dyshuar narkotikë kanabisi, të kultivuar në kubikë.

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme që në gjenezë, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, nga toka dhe ajri, me dron, bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen Gjuraj, në fshatin Koplik i Sipërm, në një zonë të pyllëzuar, 80 fidanë kanabisi të kultivuar në kubikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies dhe një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale” – ka njoftuar Policia e Shtetit.

Nga veprimet e shpejta hetimore paraprake, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të këtij rasti, konkretisht të një 16-vjeçari, ndaj të cilit nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.