Foto: REL/AFP

16 të vrarë prej sulmit izraelit, raportojnë mediat siriane

Së paku 16 persona kanë mbetur të vdekur prej sulmeve ajrore izraelite mbi një numër caqesh ushtarake në Sirinë qendrore, raporton agjencia shtetërore siriane e lajmeve, përcjell BBC.

Sana ka cituar një zyrtar të shëndetësisë të ketë thënë se 36 persona të tjerë janë lënduar në sulmet në rrethinën e Masyafit në krahinë Hama, të dielën mbrëma.

Një grup monitorues me qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar ka raportuar se 25 persona janë vrarë dhe se pesë caqe ishin shënjestruar, përfshirë edhe një qendër kërkimore që besohet se ka lidhje me prodhimin e armëve kimike.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se nuk do të komentojë raportet e mediave të huaja për sulmet ajrore, por që Ministria e Jashtme e Sirisë i ka quajtur “agresion të ashpër”, përderisa Ministria e Jashtme e Iranit e ka vlerëusar si “sulm kriminal”.

Sidoqoftë, Izraeli më parë e ka pranuar se kishte kryer qindra sulme ajrore viteve të fundit mbi caqet që ndodheshin brenda Sirisë dhe që pretendon se kishin lidhje me Iranin – armikun më të madh të Izraelit – dhe me grupet e armatosura të lidhura me to.

Bombardimet ajrore izraelite raportohet se janë shpeshtuar prej nisjes së luftës në Gazë në tetorin e vitit të kaluar si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që po kryhen prej anës tjetër të kufirit në drejtim të Izraelit prej “Hezbollahut” dhe prej grupeve të tjera në Liban dhe në Siri.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com