16 milionë euro kontratë për zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt

Është nënshkruar kontrata me vlerë mbi 16 milionëshe për zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me një kompani nga Shqipëria për zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt.

Kontrata ka vlerën mbi 16 milionë euro, tha Aliu përmes një konference për media më 22.11.2024.

Ministri tha se kontratën e kanë nënshkruar me kompaninë “Salillari”, që sipas tij nuk do të ketë nënkontraktorë.

Projekti do të nisë nga Fshati i Ri në magjistralen Ferizaj – Prishtinë deri te kryqëzimi, që sipas tij gjithsej përfshihen 5.6 kilometra.

Aliu tha se do të bëhet asfaltimi dhe rregullimi i rrugës me katër korsi nga dy sa ka qenë, do të rindërtohet ura dhe do të ndërtohen dy rrathë në magjistralen Ferizaj – Gjilan, ndërkaq edhe katër rrathë të tjera në pjesën e magjistrales nga Fshati i Ri deri te kryqëzimi.

“Ky është një projekt që ka qenë duke u zvarritur. Pas zvarritjeve të shumta që kemi pasur, i është shkëputur kontrata kompanisë në vitin e kaluar, kompani kjo që ka qenë italiane, dhe kemi vazhduar procedurat për të gjetur një kompani tjetër”- tha Aliu.

Aliu tha se kompania ka dhënë afat se kjo rrugë do të ndërtohet për një vit.

Vlera e kontratës është saktësisht 16 milionë e 397 mijë e 809 euro.