Bashkëbisedimi kundër dhunës në familje i nxënësve në Ferizaj me Policinë, 07.12.2024, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

16 ditët e aktivizmit - Nxënësit në Ferizaj bashkëbiseduan me policët për luftimin e dhunës në familje

Nxënësit e shkollave të mesme të Ferizajt të shtunën, më 07.12.2024, në palestrën “Bill Clinton” kanë bashkëbiseduar me zyrtarë policor të Policisë rajonale të Ferizajt kundër dhunës në familje.

Ky bashkëbisedim u realizua në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” në bashkëpunim me përfaqësues të komunës së Ferizajt,  Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore, KFOR, OSBE, Qendrës për Punë Sociale, anëtarë të Mekanizmit Ndërinstitucional Kundër Dhunës në Familje dhe akterë të tjerë.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë bashkëbisedim me nxënës, drejtuesit e institucioneve vunë theksin që të bashkuar të luftojnë dukurinë e dhunës me bazë gjinore, ndërsa edhe nxënësit paraqiten pyetjet, komentet dhe shqetësimet e tyre për këtë dukuri .

“Policët e Njësisë së Dhunës në Familje për të pranishmit shpërndanë edhe fletëpalosje me moton  “JU JENI FORCA QË THYEN HESHTJEN!” Me këtë rast apelojmë tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të lajmërojnë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konidencialitet të plotë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 07.12.2024.

Fushata vetëdijësuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me baza gjinore” ka nisur më 25.11.2024 dhe nga kjo datë është duke u shënuar me aktivitete të ndryshme të udhëhequra nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Dhuna në familje në baza gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet kyçe që ka shoqëria në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit.

Viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë vitit 2023, 286 gra dhe 335 fëmijë u strehuan në shtëpi të sigurta në gjithë vendin, teksa për vitin aktual të dhënat nuk janë ende të ditura.

Me qëllim të vetëdijësimit dhe sensibilizimit për parandalimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë ka filluar më 25.11.2024, fushata 16-ditore e aktivizmit.

E hapja e fushatës vetëdijesuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” u shënua me një ceremoni hapëse të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

I pranishëm në këtë ceremoni hapëse përpos ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalë rasti, shefi i Qeverisë tha se ishin aty për një arsye të rëndësishme dhe një mision të drejtë.

“Për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë e lirë e të ëndërroj pa frikë. Në këto 16 ditë nderojmë viktimat, mbështesim të mbijetuarat, flasim zëshëm e veprojmë bashkë” – tha Kurti.

“Si Qeveri po veprojmë çdo ditë, po forcojmë ligjet, po rrisim ndihmën për strehimoret, po fuqizojmë gratë ekonomikisht në përkrahje të viktimave të dhunës në baza gjinore. Tashmë kemi ndarë 3 milionë euro mbështetje financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë viteve 2023-2024. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”- kishte shtuar Kurti.

Kurti gjatë fjalimit të tij tha se nuk duhet të arsyetohet dhuna, sepse dhuna nuk është as traditë e as zgjidhje.

Ndërsa krejtësisht në fund fjalim rasti mbajti edhe nikoqirja e këtij organizimi, ministrja Albulena Haxhiu, e cila është edhe koordinatore për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje.

Në këtë ceremoni Haxhiu bëri thirrje që të raportohen rastet e dhunës në familje.

“Ne jemi me ju gjithmonë” – kishte theksuar Haxhiu.