16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore kanë filluar sot
Gra dhe vajza nga qytete të Kosovës kanë filluar fushatën ‘16 Ditët e Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore’.
Aktivitetet për këtë kampanjë, kanë filluar nga mëngjesi i sotëm duke u mbizotëruar nga ngjyra portokalli, e cila nënkupton një të ardhme më të ndritshme, pa dhunë.
Organizata “UN Women Kosovo” përmes një postimi kanë treguar se qëllimi i fushatës ka të bëjë me eliminimin e dhunës ndaj grave.
“16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, është një fushatë e përvitshme globale që fillon sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Përdoret për të mobilizuar përpjekjet dhe për të avokuar, për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, thuhet në postimin e UN Women.
Në periudhën janar-shtator të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 mijë 819 raste të dhunës në familje.
1,437 nga raportimet për dhunë kanë qenë për gratë, ndërsa 408 raste të dhunimit ndaj burrave.
“Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sipas një publikimi të UN Women në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra – pothuajse një në tre i janë nënshtruar dhunës nga partneri intim, dhunës seksuale nga jo partneri ose të dyja të paktën një herë në jetën e tyre.
Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën parlamentare kanë shënuar këtë ditë duke vendosur simbolet me ngjyrë portokalli.
“Përmes shenjave dalluese tregojmë që edhe Parlamenti i Kosovës bëhet pjesë e kësaj fushate globale për ta ngritur vetëdijen sidomos institucionale për ta luftuar dhunën kundër grave e vajzave”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti në fjalën e tij në hapje të fushatës ka thënë se Qeveria e Kosovës ka avancuar në defiimin e dhunës ndaj grave duke e cilësuar si vepër penale në Kodin Penal.
“Sot zotohemi se do ta luftojmë dhunën ndaj grave dhe femicidin, si përgjigje ndaj dhunës së përshkallëzuar institucionet tona e kanë përshkallëzuar dukshëm kornizën ligjore me ndryshimet e fundit të përqafimit të Konventës së Stambollit”, ka thënë Kurti.
Aktivitet kanë filluar sot dhe do të vazhdojnë deri më 10 dhjetor.