154 raste aktive me COVID-19 në Vushtrri, kryetari bën apel që të ndalohen vizitat familjare

22 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar sot në komunën e Vushtrrisë.

Pas këtij rezultati, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, është shprehur i shqetësuar për numrin e madh të infektimeve brenda të njëjtës familje dhe kërkoi që të reduktohen vizitat familjare.

Tahiri përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për rritjen e numrit të zyrtarëve policorë në Stacionin e Policisë në këtë qytet, në mënyrë që të mbikëqyren personat në vetizolim.

Gjithashtu, i pari i Vushtrrisë ka deklaruar se ka kërkuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë rritjen e personelit shëndetësor në QKMF.

“Toleranca është 0 për bizneset që nuk respektojnë masat. Për fat të mirë, pak qytetarë kemi pasur të infektuar në bizneset e Vushtrrisë. Numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare. Tashmë është konfirmuar që ndejat në fund të Ramazanit dhe vizitat për Bajram e kanë rritur numrin e rasteve. Numri po vazhdon me u rritë sepse po vazhdojnë vizitat”, ka shkruar Tahiri.

“Prandaj duhet të ndërgjegjsohemi, nuk është koha për ndeja familjare, mos i beso akujt mos ja jep virusin familjarëve mos shko askund e mos prano askend në vizitë.  Me bajtë maskë nuk është marre, me pas virusin po ashtu nuk është marre, me përhap virusin rrezikon jetën e tjetrit”, ka përfunduar ai.

Në komunën e Vushtrrisë janë aktualisht 154 raste aktive, 40 të shëruar dhe 2 të vdekur.