151 shtetas kosovarë nisen për në Kosovë nga shtetet skandinave

151 qytetarë të Republikës së Kosovës do të vijnë sot në Prishtinë nga Stokholmi.

Kështu ka njoftuar ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkendije Geci-Sherifi përmes një njoftimi në Facebook.

“Sapo u nisën nga Stokholmi për Prishtinë 151 qytetarë të Republikës së Kosovës të mbetur në shtete skandinave.  Me këtë rast, fillimisht dua të falënderoj bashkatdhetarët tanë për durimin e treguar, institucionet e Republikës së Kosovës për koordinim profesional, në veçanti drejtoren Valëza Oruqin nga MPJD si dhe policinë kufitare suedeze dhe atë finlandeze.  Një mirënjohje e veçantë për diplomatët Valon Xhaferi dhe Fatmir Rrahmanaj për punën e palodhshme dhe me përkushtim maksimal në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Udhëtarëve që sapo u nisën ju urojmë rrugë të mbarë dhe shëndet. Shpresojmë që së shpejti do të mundësohet udhëtimi edhe për shumë qytetarë tjerë të ngelur në Skandinavi të cilët i falënderojmë për mirëkuptim”, ka shkruar Geci-Sherifi.

Ambasada e Kosovës në Stokholm, para dy ditësh ka njoftuar se shumica dërmuese e këtyre udhëtarëve janë të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore.

150 qytetarë të Kosovës vijnë pasnesër nga Suedia, Finlanda dhe Norvegjia