15 persona të testuar për COVID-19 në Viti, të gjithë negativ

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) i komunës së Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar për menaxhimin e situatës së krijuar në vend nga virusi pandemik COVID-19.

Gjatë këtij takimi u bë me dije se nga 15 të testuar për COVID-19 nga Komuna e Vitisë, të gjithë kanë rezultuar negativ pos dy raste  të cilët janë të hospitalizuar dhe të cilët janë ri-testuar.

“Deri me tani në Komunën e Vitisë,  të prekur nga ky virus janë 45 qytetarë 3 prej janë shëruar ndërkaq 7 janë të hospitalizuar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.

Gjatë këtij takimi që është kryesuar nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë pjesë edhe dhe Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, dhe ndër tjerash është folur edhe  për menaxhimin sa më mirë të kësaj situate, e në veçanti edhe të vatrave të infeksionit të cilët janë shpallur nga Ministria e Shëndetësi së Republikës së Kosovës.

Kryetari Haliti shtoj se pos masave për parandalim të përhapjes së këtij virusi si në dezinfektim, pastrim, klorifikim të hapësirave të ndryshme janë marrë edhe masa të tjera.

“Deri më tani nga donatorët e ndryshëm janë siguruar mbi 4000 pako ushqimore dhe higjienike për qytetarët me gjendje të rëndë financiare”, citohet të ketë thënë Kryetari Haliti.

Rasti i parë me coronavirus në Kosovë ishte pikërisht nga Komuna e Vitisë. Ky pacient tani është shëruar dhe dërguar në shtëpi për kujdes të mëtutjeshëm.