15 delegatë bojkotojnë kuvendin e FFK-së, e quajnë të jashtëligjshëm

Sot, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po mban Kuvendin Zgjedhor ku pritet që në krye të këtij institucioni sportiv të rizgjidhet, Agim Ademi.

Por, punimet e këtij kuvendi janë bojkotuar nga rreth 15 delegatë.

Ata po e shohin këtë kuvend si të jashtëligjshëm, duke shruar se kështu ka thënë edhe një interpretim ligjor nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinës dhe Sportit (MKRS).

“Ne si grup që mendojmë ndryshe, siç po na quajnë grup opozitar, jemi përcaktuar që nuk e mbështesim këtë kuvend sepse opinioni ligjor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka dhënë mendimin e tij, ku thuhet që ky kuvend është i paligjshëm. Andaj, ne në asnjë formë, në asnjë moment nuk kemi mëndu të jemi pjesë një kuvendi që është i jashtëligjshëm”, ka thënë drejtori sportiv i FC Drita, Valon Zymberi.

Ai tha se mohimi i kandidaturës së Gramos Vokrrit ishte i padrejtë.

“Neve na është mohuar e drejta jonë elementare, kanditimi i kandidatit tonë, të cilën ne kemi thënë se e kemi një kandidaturë të rregullt, pra ka qenë Gramos Vokrri. Ne ua bëjmë me dije se jemi po ata dhe e themi se kandidatura e Gramos Vokrrit ka qenë e ligjshme dhe valide”, tha Zymberi.

“Sot, është dashtë të jetë një ditë feste ku, ku të gjithë ne është dashtë ta shprehim mendimin tonë, por nga një mendësi totalitare nuk është lejuar që edhe vetë ju (mediat) të jeni prezent, andaj ajo çka është edhe më keqe, është cenimi i lirisë së shprehjes ose cenimi i lirisë shprehjes me votë”, tha ai të mërkurën para mediave.

Agim Ademi është kandidat i vetëm për të parin e FFK-së.