Armët e konfiskuara - Foto: Policia e Kosovës

14 të arrestuar në tri raste të ndara

14 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në tri raste të ndara, në rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe në rajonin e Prishtinës.

Në rastin e parë, Policia ka thënë se është arresutuar një person për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar.

Lidhur me këtë rast, i arrestuari me iniciale M.M. me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje.

Në rastin e dytë është thënë se janë arrestuar 12 persona të dyshuar për kryerje të veprës penale – kontrabandim me migrantë.

Sipas Policisë, gjashtë prej të arrestuarve janë shtetas kosovarë dhe gjashtë shtetas të huaj si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë.

Policia ka thënë se ky operacion ka qenë i treti me radhë për veprën penale të lartcekur.

“Pas pranimit të informatave për përfshirje të disa personave në aktivitete të kundërligjshme të kontrabandimit me migrantë, pas realizimit të dy operacioneve të mëhershme në muajin korrik të këtij viti ku ishin arrestuar 17 persona të dyshuar dhe ishin identifikuar 11 viktima të kontrabandimit me migrant, sot me 20 tetor ka realizuar operacionin e radhës” – ka thënë Policia.

Tutje u tha se bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente Sektori i Hetimeve nga Departamenti për Kufi ka realizuar bastisje në pesë lokacione me ç’rast ka arrestuar 12 personat e dyshuar.

Policia tha se gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë, tri armë të gjata dhe tri armë të shkurta.

Në njoftim u tregua se në konsultim me prokurorin e çështjes është lëshuar vendim për ndalim për shtetasit kosovarë, ndërsa për shtetasit e huaj pritet vendimi pas intervistimit të tyre.

Ndërsa, në rastin e tretë Policia tha se ka arrestuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale – prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve.

Sipas Policisë, më 19 tetor 2022, zyrtarët policorë gjatë mbajtjes së një pike kontrolli kanë ndaluar veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur katër qese me substancë narkotike që dyshohet se është marihuanë, me peshë 35 gramë.

Pas kësaj, është bërë bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç’rast u tha se gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi.

Policia tha se në këtë bastisje u konfiskua: një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 708 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 902 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 163 gramë, pra gjithsej 1.8 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Po ashtu Policia tregoi se është konfiskuar edhe vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjella të dyshuara të llojit kanabis.

Policia njoftoi se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i kompetent, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar vendimin për ndalim policor prej 48 orësh.