14 raste të dhunës në familje të raportuara në një ditë në Kosovë

14 raste të dhunës në familje u raportuan në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Sipas raportit policor, rastet raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, Drenas, Graçanicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Nga këto 14 raste të raportuara, tre gra kanë pranuar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna.

Ndërkaq, lidhur me rastet janë arrestuar 11 persona dhe dy të tjerë gjenden në arrati.

Në procedurë të rregullt sipas Policisë, janë liruar tre persona të tjerë.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Sipas raportit policor, nuk raportohet për lëndime. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Lipjan ka raportuar në Policinë e Kosovës se burri i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Një rast i dhunës në familje është raportuar në Fushë Kosovë, ku një person është arrestuar për dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë, nuk raportohet për lëndime, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Viktimës i është ofruar tretmani mjekësorë, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Drenas, Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje me gruan e tij ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe djalit të tij të mitur.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Graqanicë ka raportuar në Policinë e Kosovës se vëllau i saj në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Policia ka arrestuar një grua në Fushë Kosovë pasi e njëjta ka sulmuar burrin e saj.

Me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Gjilan, ku është arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur verbalisht nënën e tij.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prizren, forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet të ketë sulmuar fizikisht gruan e tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë janë një burrë me djalin dhe nipin e tij pasi dyshohet se pas një zënke familjare kishin sulmuar fizikisht dy gra.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Dy rate të dhunës në familje janë raportuar në komunën e Gjakovës.

Në njërin rast një grua është ankuar në Polici se është kanosur verbalisht nga bashkëshorti i saj.

Njësitë policore kanë kërkuar të dyshuarin por i njëjti nuk është takuar, ndërsa rasti në hetime.

Në rastin tjetër, një grua ka raportuar në Polici së është sulmuar fizikisht nga një person me të cilin ajo ishte duke bashkëjetuar.

Sipas Policisë, i dyshuari gjendet në arrati.

Në Mitrovicë, forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht familjarët e tij.

Si pasoj e sulmit, Policia raporton se viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ditëve të fundit, është rritur numri i raportimeve të rasteve dhunës në familje në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për raste të dhunës në familje në Kosovë.