14 persona me COVID-19 vdesin gjatë 24 orëve të fundit

14 persona të cilët kanë qenë të infektuar me SARS-CoV-2 kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit, në mesin e tyre është edhe një 61 vjeçar nga Mitrovica.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Drenas 3 raste (91, 83, 69 vjeç), Mitrovicë 3 raste (76, 62, 61 vjeç), Leposaviq 2 raste (78, 68 vjeç), Prishtinë 2 raste (70, 69 vjeç), Gjakovë 1 rast (83 vjeç), Gjilan 1 rast (88 vjeç), Obiliq 1 rast (67 vjeç), Viti 1 rast (68 vjeç)”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Institutit po ashtu njofton se 957 persona janë shëruar nga infeksioni përderisa 442 persona të tjerë janë infektuar me SARS-CoV-2.

Aktualisht në Kosovë janë 11,756 raste aktive me coronavirus.

Numri total i rasteve pozitive është 102,236 raste nga 505,249 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2,100 raste të vdekjes.

IKShPK apelon tek qytetarët të respektojnë masat anti- COVID.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.