Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

138 pacientë me COVID-19 po trajtohen në QKUK dhe në spitale rajonale

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe në shtatë spitalet rajonale është duke vazhduar trajtimi i pacientëve të infektuar me coronavirus.

Në Klinikën Infektive, në atë të Pulmologjisë dhe në Pediatri janë duke u trajtuar 86 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2, një prej tyre është në gjendje të rëndë ndërsa 71 pacientë të tjerë janë nën asistim me oksigjeno-terapi.

Klinika e Pulmologjisë ka më së shumti pacientë me coronavirus, gjithsej 62, pastaj ajo e Infektives me 23 dhe në Pediatria ndodhet në trajtim një pacient.

Në spitalet rajonale janë duke u trajtuar 52 pacientë me COVID-19.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme: Spitali i Prizrenit 9 pacientë, spitali i Gjakovës 7 pacientë, spitali i Pejës 17 pacientë, spitali i Gjilanit 9 pacientë, spitali i Ferizajt 3 pacientë, spitali i Mitrovicës 3 pacientë dhe  spitali i Vushtrrisë me 4 pacient”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Rasti i parë me virusin SARS-CoV-2 në Kosovë është shfaqur më 13 mars 2020 dhe deri më tani të infektuar rezultojnë 107,429 persona, prej tyre 2,243 kanë vdekur ndërsa 103,143 janë shëruar nga infeksioni.

Javëve të fundit numri i rasteve pozitive por edhe i vdekjeve si pasojë e COVID-19 ka shënuar rënie. Dje në nivel vendi nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjeve nga infeksioni përderisa 19 persona të tjerë kanë rezultuar pozitiv.

Vaksinimi kundër kësaj sëmundjeje, është duke vazhduar dhe nga data 29 mars 2021 kur ka nisur ky proces, janë vaksinuar 67, 094 qytetarë.