foto Kallxo.com

13 vjet nga vrasja e policit Triumf Riza, mbi gjysmë shekulli burg për Enver Sekiraqën e Arben Berishën

Sot janë bërë 13 vjet nga dita kur polici i Kosovës, Triumf Riza, u vra në njërën nga lagjet e Prishtinës.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor Arben Berishën, të cilin e ka dënuar me 35 vjet burgim.

12 vjet pas vrasjes së Rizës, më 16 shtator të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor për herë të dytë Enver Sekiraqën për nxitje të kësaj vrasjeje.

Trupi gjykues Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.

Sekiraqa nuk ishte i pranishëm në shpalljen e gjykimit.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë. Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Vitin e kaluar, në 12 vjetorin e vrasjes së Triumf Rizës, KALLXOcom kishte shkruar pasi Policia e Kosovës nuk kishte aranzhuar homazhe për nder të përvjetorit të tij të vdekjes. Këtë injorim nga Policia e Kosovës kishte refuzuar ta komentonte edhe Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për vrasjen e Triumf Rizës dhe procesin gjyqësor nga Arben Gashit dhe Enver Sekiraqës. Të gjitha këto raportime mund t’i gjeni KËTU.