13 vjeçarja, Sky Brown, bëhet medalistja më e re olimpike e Britanisë së Madhe

Paraditen e së mërkurës, Sky Brown, garuesja 13 vjeçare britanike në sportin e skateboard-it, qëndroi mbi dërrasën e saj, rrëshqiti e u rrotullua dhe performoi në betonin përvëlues të parkut olimpik të skateboard-it, për të fituar medaljen e bronztë për Britaninë e Madhe, raporton gazeta britaneze The Guardian.

Ndoshta disa prej jush veçse jeni në dijeni për atë që ne të tjerët sapo zbuluam: Ndjenjën e bukur e të shikuarit Brown-in të rrëshqasë në beton – një përzierje 45 sekondëshe e mbajtjes së trupit me një dorë, e truqeve të dërrasës me rrota, rrëshqitjeve, rrotullimeve dhe kthesave. Kjo mund të quhet edhe akrobatikë e performuar në 100 milje për orë.

Brown është aq e talentuar sa që nuk mund të anashkalohet; do t’u dukej evidente edhe atyre që nuk kanë lidhje të madhe me këtë sport se ajo do të fitonte një medalje. Si përfundim, ajo fitoi të bronztën, çka edhe e bën medalisten më të re në historinë britaneze.

Ajo do të kishte qenë më e reja nga të gjitha shtetet që prej 1930-tës mirëpo atletja që përfundoi një vend para saj, japonezja Kokona Hikari, ishte gjashtë javë më e re se Brown-i kur pranoi medalje. Në kohën e saj, fituesja e të artës, Sakura Yosozumi nga i njëjti ekip japonez, ishte vetëm 19 vjeçare, mirëpo në krahasim me medalistet e tjera më të reja, konsiderohet si veterane e sportit të skateboard-it.

Performanca e Brown-it në filane ishte aq e bukur sa për të qenë e denjë për t’u skriptuar për shfaqje televizive. Ajo ishte në pozitën e katërt kur po nisej herën e tretë, mundësinë e saj të fundit, drejt skajeve të gropës së betonit. Ajo përsëri provoi trukun, i cili i kishte dështuar dy herët e para kur u rrëzua, dhe këtë herë arriti të aterojë pastër në beton me ç’rast edhe u ngrit në vendin e tretë.

Kishte mbetur edhe një rrëshqitëse për të konkurruar, 15 vjeçarja Misugu Okamoto, që po mundohej ta përfundonte garën me sukses për japonezët. Në gjysmë të rrugës së saj për në majë, ajo u përplas, ra në beton dhe shpërtheu në një gaz lotësh. Po aq të mira sa janë Okamoto, Brown dhe Hiranki, ndonjëherë është pak e sikletshme t’i shohësh fëmijët e këtyre moshave në skenat e këtyre përmasave.

Në disa sporte të tjera, ato nuk do të lejoheshin të konkurrojnë. Për shembull, disiplina e gjimnastikës ka kufizime të moshës – konkurrentët duhet të jenë mbi 16 vjeç që të garojnë në lojëra olimpike. Këto kufizime nuk janë vënë për shkak se nuk ka 15 vjeçar që nuk mund të bëjnë gjithçka që atletët e rritur bëjnë, por për të mbrojtur shëndetin e tyre trupor dhe mendor.

Steve Brown, babai i medalistes Sky, foli për këtë temë kur shpjegoi se përse kishin vendosur që ajo të garojë për Britaninë e Madhe, ku është rritur, në vend të Japonisë, prej nga e ka prejardhjen nëna e saj, Meiko.

“Zgjodhëm Britaninë e Madhe sepse menduam që nuk do të kishte presion; ata nuk na kërkuan që të jemi detyrimisht të përkushtuar”, tha ai.

“Ata na e bënë të qartë se në qoftë se Sky nuk ishte e lumtur, apo nuk ndihej mirë kurdo gjatë garës, ne mund të tërhiqeshim”.

Brown-i veçse mbështetet prej kompanive Nike, Barbie edhe Claire’s Accessories dhe ka qenë duke marrë pjesë në reklamat televizive për kompanitë Visa dhe Samsung për një kohë. Këto dy të fundit janë partnerë zyrtarë të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (KNO) të cilët sigurisht janë tejet të lumtur për mënyrën se si kanë ecur punët. Arsyeja kryesore përse KNO-ja e ka përfshirë sportin e skateboard-it në Olimpiadë ishte që ky organizim të bëhet më i këndshëm për të rinjtë.

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu.

Përkthyer nga Vesa Ferizi