Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

13 specializantë nga Gjakova në pritje të rrogave, thonë se po neglizhohen nga shteti

13 specializantë nga Qendra e Mjekësisë së Punës në Gjakovë nga muaji nëntor i vitit të kaluar, kur edhe e kanë nënshkruar kontratën, janë në pritje për marrje të rrogës për shkollim specialistik.

Kërkesa e tyre për marrje të rrogës për shkollim specialistik ka hasur në vesh të shurdhër.

Në mes të rrugës dhe pazgjidhje kanë mbetur 13 specializantët, të cilët janë obliguar të trokasin në dyert e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të kërkuar rrogën që sipas tyre u takon, por nuk gjetën zgjidhje, pastaj në Ministrin e Shëndetësisë e cila thonë se i ka lënë në pritje tash e disa muaj.

Ndërsa kryetari i Bordit të Specializimeve potencojnë se nuk i ka ofruar kurrfar zgjidhje.

“Ne krejt çka po kërkojmë është të trajtohemi të barabartë me të tjerët. Prej muajit nëntor, kur i kemi nënshkruar kontratat, shumica nga ne vetëm endemi dhe mund të them që nga titulli mjek specializant e kemi fituar titullin mjekë shëtitës, për shkak se ne shëtisim nga njëri institut te tjetri e asnjëri nuk e merr përgjegjësinë me tregu pse jemi ne sot pa pagesë. Drejtori i ShSKUK-së na ka thënë se financimi jonë është i jashtëligjshëm, kryetari i bordit nuk jep kurrfarë zgjidhje, ministri na ka lënë me prit për katër muaj”, tha Arianit Zajmi dje para MSh derisa po portestonte me disa nga kolegët e tij.

Përveç kësaj KALLXO.com ka kontaktuar me mantelbardhët të cilët kanë treguar se Ministria e Shëndetësisë u ka thënë që duhet të paguhen nga Qendra e Mjekësisë së Punës në Gjakovë e cila është njësi e ShSKUK-së, ndërsa kjo e fundit u ka thënë se është e jashtë ligjshme të paguhen nga ShSKUK.

Drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqit i duket e pazakont  të paguhen nga ky institucion për shkollim specialistik 13 mjekët nga Gjakova.

Krasniqi thotë se asnjëherë nuk ka hasur në një situatë të tillë që specializantët të paguhen nga ShSKUK.

“Unë nuk kam hasë në një rast të tillë prej kur kam shku në ShSKUK, dhe nuk e kam pa si rast që specializantët me u pagu prej ShSKUK-së prandaj kam kërku që me pa opinioni ligjor a kemi të drejt apo nuk kemi të drejtë”, tha ai për KALLXO.com.

Krasniqi, tutje ka pranuar se ShSKUK është në përgatitje të shkresës për të shpërndarë në Ministri të Shëndetësisë dhe në Bordin e Specializantëve, dhe sipas tij një gjë e tillë do të bëhet në fillim të javës së ardhshme.

“Kanë qenë në përgatitje të shkresës besoj që në fillim të javës së ardhme e përcjellë administrate e ShSKUK-së”, theksoi ai.

Në anën tjetër, edhe Bordi i Specializantëve është në pritje të ShSKUK-së.

Labinot Shahini, kryetari i Bordit, thekson se janë në pritje të shkresës nga ShSKUK, në mënyrë që të vazhdohen procedurat tjerë për marrje të pagës të 13 mantelbardhëve.

“Ne e kemi procesu shkresën e institucionit Qendra e Mjekësisë se Punes përmes drejtorisë së  ShSKUK për këta specializantë,  dhe i kemi shpallë të gjitha vendet e tyre, ata i kanë vendet por kemi kërku tash nga bordi i ShSKUK-së që a kanë mundësi që t’i sistemojnë në listë të pagave të tyre dhe ende përvec gojarisht, shkresë zyrtare nuk na kanë kthy nga ShSKUK”, thot ai.

“Në momentin që ne do të marrim shkresë nga bordi i ShSKUK-së ne do të procedojmë tutje”, nënvizon Sahini për KALLXO.com.

Edhe u. d.  i drejtorisë së Qendrës së Mjekësisë së Punës, Luan Nagavci thotë se QKMP është pjesë e njësiteve të ShSKUK-së dhe se çdo gjë shkon përmes kësaj të fundit.

“Ne jemi njësi organizative e ShSKUK-së edhe cdo gjë shkon nga ShSKUK-ja ne nuk mund të vendosim asgjë pa vendosë ShSKUK se çka me bo”, ka thënë ai në një përgjigje për KALLXO.com.

Nagavci gjithashtu ka potencuar se QKMP ka nevojë për mjekë, por në anën tjetër në konkurset e hapura nuk aplikon askush.

Ai thekson se në këtë Qendër ka rregull e nuk ka kujdestari andaj Nagavci dyshon se kjo mund të jetë njëra ndër shkaqet pse nuk aplikojnë për punë.

Për aq kohë sa Nagavci ka qenë drejtor dhe tash ushtrues detyre thotë se shtatë herë kanë hapur konkurs por asnjë nuk ka aplikuar.

“Momentalisht i kemi 12 mjekë- kabinete, njëri nga ta është zëvendës ministër (Luan Gola) por 12 janë aktivë, mungesë të mjekëve kemi. 74 punëtor janë 13 specialistë. Moshën mesatare të mjekëve e kemi 50 e diçka, në pensione  e kemi një mjekë që pritet me dal brenda 2 viteve”, tha ai.

Edon Gola, djali i zëvendësministrit të Shëndetësisë, Luan Golës paguhet nga MSh

Edon Gola, djali i zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Luan Golës, është duke marrë rrogën për specializim nga Ministria e Shëndetësisë, përderisa kolegët e tij tash e tre muaj janë duke kërkuar rrogat e tyre për shkollim të specializimit.

Përveç Golës, rrogë është duke marrë edhe Egzon Shehu, i cili kërkon drejtësi për kolegët e tij dhe mohon të ketë lidhje partiake.

“Ato gjëra që kam arritur deri më tani, i kam arritur me punë dhe djersë dhe nuk dua asesi që mundi im dhe titulli im gjatë gjithë këtyre viteve në mjekësi të njolloset ose të vihet në dyshim me diçka që as unë vetë nuk e kam iden se si ka ndodhur dhe që kërkoj zgjidhje sa më të shpejtë dhe të njejtë për të gjithë”, ka potencuar ai për KALLXO.com.

KALLXO.com u mundua të flas edhe me Edon Golën në lidhje me këtë rast por i njëjti e ka mbyllur telefonin.

Tutje, në kontratat e siguruara nga KALLXO.com vërehet një dallim në krahasim të rrogave ndërmjet dy personave që paguhen dhe personave të tjerë që nuk paguhen për shkollim specialistik.

Ajo që e dallonte kontratat e specializantëve me pagesë nga stafi shëndetësorë pa pagesë është pika e katërt e kontratës, e cila ka të përcaktuar pagën mujore ndërsa në kontratën tjetër thuhej paga mujore “Sipas kontratës bazë”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar një sqarim në lidhje me këtë rast por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se dje para Ministris së Shëndetësisë specializantët kanë kërkuar trajtim të barabartë për marrjen e rrogave.

Specializantët protestojnë para MSh-së, kërkojnë marrjen e rregullt të pagave