COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

13 raste pozitive me COVID-19 brenda 24 orëve

13 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga 2 mijë e 628 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë gjithashtu thuhet se nuk është raportuar asnjë rast i vdekjeve me COVID-19.

“Sot janë shëruar 6 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158 mijë e 16 qytetarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Aktualisht në nivel vendi janë 350 raste aktive me COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar mbi 161 mijë qytetarë me coronavirus prej tyre mbi 2 mijë kanë vdekur.

Sa i përket vaksinimit anti-COVID, nga 29 marsi i këtij viti kur edhe ka filluar dhënia e dozave të para të vaksinave 780 mijë e 596 qytetarë janë vaksinuar komplet, apo me dy doza të vaksinave.

Në Kosovë mosha e lejuar për vaksinim është mbi 12 vjeç dhe janë në dispoizicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në të gjitha qytetet e Kosovës janë administruar mbi 1,6 milion doza të vaksinave anti-COVID.

Ministria e Shëndetësisë apelon tek qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19.

Dy ditë më parë në Kosovë janë shfaqur nëntë rastet e para me variantin “Omicron”.